E ardhmja e Simone Inzaghi-t në Arabinë Saudite është vënë seriozisht në pikëpyetje. Sipas raportimeve nga mediat saudite, drejtuesit e Al Hilal pritet të zhvillojnë një mbledhje urgjente për të vendosur mbi fatin e trajnerit italian, vetëm tetë muaj pas nisjes së aventurës së tij në Riad.
Megjithatë, situata nuk duket aq dramatike sa është raportuar fillimisht. Inzaghi nuk pritet të shkarkohet para pushimit të kombëtareve, pasi në 10 ditët e ardhshme skuadrën e presin dy sfida kyçe: ndeshjet e fazës me eliminim direkt në AFC Champions League kundër Al Sadd të drejtuar nga Roberto Mancini, si dhe përpjekja për rikthim në garën për titull në kampionat.
Forma e dobët në muajin e fundit ka tronditur pozitat e tij. Pas merkatos së janarit, ku u afrua edhe ‘ylli’ francez Karim Benzema, skuadra ka marrë vetëm 2 fitore dhe 6 barazime. Nga vendi i parë me +7 pikë avantazh, Al Hilal ka rrëshqitur në vendin e tretë, 3 pikë pas Al Nassr të Cristiano Ronaldo-s dhe madje pas Al Ahli-t.
Një situatë që rikthen makthin e përjetuar nga Inzaghi në sezonin e tij të parë tek Interi, kur humbi avantazhin ndaj Milanit. Për më tepër, pesha financiare e kontratës së tij, 26 milionë euro neto në sezon në një marrëveshje dyvjeçare, e bën vendimin edhe më delikat për pronarët e klubit.
Gjithsesi, trajneri italian beson se mund ta përmbysë situatën. Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij në pankinën e Al Hilal.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: