Kamilla Sellier shkaktoi një moment frikësues gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano, pasi gjatë një rënieje në garën e 1500 metrave në ‘shorttrack’ u godit në fytyrë nga patina e Kristen Santos-Griswold, që gjithashtu ra. Aksidenti ndodhi gjatë çerekfinaleve dhe shkaktoi ndërprerjen e garës pasi Sellier filloi të gjakoset dhe i duhej dhënë menjëherë ndihma mbi akull.
Pas rënies, Sellier u transportua në spital ku u konstatuan dëmtime të kockave të fytyrës dhe një prerje në qepallë, por fatmirësisht syri i saj nuk pësoi dëmtime. Patinadorja 25-vjeçare theksoi se syzet e saj mbrojtëse ishin shpëtimtare. Në fotot që ndau, duket një gërvishtje e madhe në xhamin përpara syrit të majtë. “Syzet që më shpëtuan syrin,” shkroi Sellier.
Tani, pas një serie fotosh nga kthimi në shtëpi, shihet se ajo ende mban mbrojtëse mbi syrin e plagosur. Ditën e hënë, ajo arriti ta hapë syrin për herë të parë dhe mori leje daljeje nga spitali në Milano.
Megjithatë, trajtimi nuk ka përfunduar ende. Sellier do t’u nënshtrohet kontrolleve të mëtejshme në Poloni dhe pritet të kthehet në Milano javën e ardhshme për të vazhduar trajtimin që nisi aty.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: