Momente tensioni u përjetuan në “Santiago Bernabéu” gjatë sfidës mes Real Madridit dhe Benfica-s, e vlefshme për UEFA Champions League, pas dëmtimit të mbrojtësit Raúl Asencio.
Qendërmbrojtësi u përplas në ajër me shokun e skuadrës, Eduardo Camavinga, gjatë një dueli për topin, dhe ra me forcë në tokë. Ai mori një goditje të fortë në zonën e qafës, çka bëri që stafi mjekësor ta asistonte për më shumë se pesë minuta në fushë. Më pas, Asencio u largua me barrelë dhe me mbrojtëse në qafë, duke u dërguar në spital për ekzaminime të detajuara.
Pas ndeshjes, trajneri i Realit, Álvaro Arbeloa, dha një mesazh qetësues: “Është diçka në zonën e qafës, nuk duket serioze”.
Më vonë, vetë lojtari reagoi në rrjetet sociale, duke siguruar tifozët se gjendja e tij është e mirë. “Faleminderit për të gjitha mesazhet mbështetëse! Ishte vetëm një frikë. Tani për raundin tjetër. Hala Madrid!”, shkroi ai në Instagram, duke festuar edhe kualifikimin e skuadrës për në 1/8-at e Champions League.
Vendin e Asencios në fushë e zuri David Alaba, ndërsa fatmirësisht ekzaminimet e para treguan se dëmtimi nuk ishte i rëndë, duke shmangur më të keqen për mbrojtësin madrilen.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: