Te Milani ka ardhur momenti i Ardon Jashari. Dëmtimi i rëndë i Ruben Loftus-Cheek, i cili do të mungojë për disa muaj pas përplasjes së fortë me Edoardo Corvi-n, ka shtuar ndjeshëm përgjegjësitë në mesfushën kuqezi. Sipas raportit mjekësor, anglezi ka pësuar frakturë të dhëmbëve të sipërm dhe të kockës alveolare të nofullës, ndërsa do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Koha e rikuperimit pritet të jetë e gjatë.
Në këtë situatë, hapet rruga për Jasharin. Mesfushori zviceran nuk ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, por paraqitja e fundit konfirmoi vlerat e tij. Kundër Parmës ai realizoi 50 pasime të sakta nga 53 tentativa, prej të cilave 42 në gjysmëfushën kundërshtare. Regjistroi 71 prekje topi, vetëm 4 gabime, një pasim kyç të papërfituar nga shokët dhe dy goditje në portë, përfshirë një predhë të fuqishme nga distanca. Në fazën mbrojtëse, presioni i tij i lartë tregoi se është ndër të parët që sulmon kundërshtarin.
Deri tani ka nisur titullar vetëm në 12% të ndeshjeve dhe ka grumbulluar 369 minuta në Serie A, edhe për shkak të frakturës në këmë që pësoi në fillim të aventurës së tij. Megjithatë, me cilësitë, moshën dhe potencialin që zotëron, Jashari ka gjithçka për t’u shndërruar në një shtyllë të Milanit të së ardhmes. Tani duket se ka ardhur koha e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: