Novak Djokovic ka treguar edhe një herë madhështinë e tij jo vetëm si kampion, por edhe si sportist korrekt, pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Australian Open. Serbi përfitoi nga tërheqja e Lorenzo Musettit në çerekfinale, në një ndeshje ku italiani po kryesonte 2-0 me sete, duke dominuar qartë kampionin e shumëfishtë të turneut.
Në intervistën e dhënë menjëherë pas ndeshjes, Djokovic ishte i sinqertë dhe plot vlerësim për kundërshtarin e tij. “Isha gati të shkoja në shtëpi. Sot më i miri ishte Musetti, por ai ishte vërtet shumë i pafat. I uroj të shërohet sa më shpejt”, u shpreh Djokovic, duke iu referuar dëmtimit që detyroi italianin të braktiste ndeshjen.
Djokovic pranoi vështirësitë e tij në fillimin e takimit, duke theksuar se dy setet e para i përkisnin plotësisht Musetti-t. “Në dy setet e para nuk e ndieja topin. Kisha disa flluska në dorë, por asgjë serioze. Thjesht ai ishte më i fortë se unë”, tha serbi, duke treguar respekt maksimal për lojën e rivalit të ri italian.
Kampioni serb e konsideroi kualifikimin si një fat të madh dhe nuk e fshehu emocionin për mundësinë që i është dhënë për të vazhduar rrugëtimin në turne. “Kam qenë me fat. E falënderoj Zotin për mundësinë që më dha të luaj edhe një gjysmëfinale tjetër. Mesa duket, sonte do të lutem edhe pak më shumë”, përfundoi me humor Djokovic.
Një deklaratë që tregon jo vetëm nivelin sportiv, por edhe respektin e thellë mes dy brezave të tenisit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: