Di María rrëfehet pa filtra: Mourinho i pakrahasueshëm, Messi dhuratë hyjnore, Ronaldo simbol i punës

Di María rrëfehet pa filtra: Mourinho i pakrahasueshëm, Messi dhuratë hyjnore, Ronaldo simbol i punës

14:29, 27/01/2026

Angel Di María ka zgjedhur të kthehet simbolikisht atje ku nisi gjithçka, në rrugët e pluhurosura të Rosarios, për të reflektuar mbi një karrierë që e çoi nga futbolli i lagjes në majat e skenës botërore. Në një intervistë për “As”, “El Fideo” ka folur me sinqeritet për ëndrrat, sakrificat dhe figurat që kanë shënuar rrugëtimin e tij.

Fillimet ishin modeste dhe ambicia e parë nuk shkonte përtej reales: “Synimi im i vetëm ishte të luaja me ekipin e parë të Rosario Central. Gjithçka që erdhi më pas ishte rezultat i punës së vazhdueshme dhe aftësisë për të kapur momentin e duhur”. Sa i përket largimit nga kombëtarja argjentinase, pavarësisht një Botërori që po afrohet, Di María e sheh atë si mbyllje natyrale të një kapitulli: “Nuk është mungesë dëshire, por ndjesia se cikli im ka përfunduar. Kam realizuar gjithçka që kam ëndërruar dhe tani është koha për brezin tjetër”.

Në vlerësimin e trajnerëve, Di María nuk ka dilema. Për Jose Mourinhon fjalët janë më të fortat: “Për mua është trajneri më i madh, si profesionist dhe si njeri. Ai më ka formuar dhe më ka dhënë besim të pakushtëzuar”. Edhe Carlo Ancelotti merr vlerësime të larta: “Një trajner i jashtëzakonshëm dhe një person me vlera të rralla”.

I pashmangshëm edhe krahasimi mes dy ikonave të futbollit modern. Di María e sheh dallimin qartë: “Cristiano Ronaldo është shembulli perfekt i punës dhe përkushtimit ekstrem për të arritur majat. Messi, nga ana tjetër, ka diçka të lindur, një talent që duket sikur i është dhuruar nga Zoti”. Një këndvështrim personal, por që pasqyron thelbin e dy rrugëve të ndryshme drejt madhështisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco