Dro Fernandez ka konfirmuar largimin e tij nga Barcelona. Pas vetëm pesë paraqitjeve me skuadrën e parë katalanase, mesfushori spanjoll ka zgjedhur të transferohet te Paris Saint-Germain, duke firmosur një kontratë deri në 2030. Operacioni u mbyll për rreth 8.5 milionë euro, një shifër që e kalon klauzolën e largimit, ndërsa motivacioni kryesor pas këtij hapi lidhet me projektin sportiv të klubit francez.
Te Barcelona, Fernandez nuk arriti të impononte veten nën drejtimin e Hansi Flick, dhe largimi i tij nuk u prit me entuziazëm nga ambienti ‘blaugrana’. Tani, fokusi i tij është te e ardhmja në Paris, ku nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e Champions League kundër Newcastle, pasi nuk figuron në listën UEFA-s, por pritet të debutojë në kampionat në javët e ardhshme.
Në intervistën e tij të parë si lojtar i PSG-së, Fernandez shpjegoi vendimin: “Jam shumë i lumtur dhe emocionuar. Ky është një moment krenarie për mua dhe familjen time. Mezi pres të filloj! Ky është një hap i rëndësishëm. Kam vendosur të vazhdoj të rritem si lojtar dhe mendoj se nuk ka vend më të mirë se këtu për të vazhduar rritjen. Projekti me lojtarët e rinj që ekziston tani këtu është i jashtëzakonshëm.”
Më tej, ai përshkruan veten: “Jam një lojtar kreativ, më pëlqen të marr vendime të mira dhe të kënaqem në fushë. Jam një person i qetë dhe shumë i lidhur me familjen time.”
Ky transferim shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa PSG synon të ndërtojë një skuadër të fortë dhe të balancuar mes përvojës dhe lojtarëve të rinj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: