Shifrat e Harry Kane në Gjermani flasin vetë dhe shpjegojnë qartë pse Bayerni i Mynihut dëshiron ta mbajë të blinduar liderin e repartit ofensiv. I transferuar në Bavari në verën e vitit 2023 për një shifër që iu afrua 100 milionë eurove, sulmuesi anglez ka pasur një ndikim të menjëhershëm dhe vendimtar. Në 126 ndeshje zyrtare, Kane ka realizuar 119 gola dhe ka dhuruar 30 asiste, duke u kthyer shpejt në pikë referimi absolute për sulmin e “Rekordmeister”-it.
Performanca e jashtëzakonshme ka ushqyer në mënyrë të pashmangshme spekulime mbi të ardhmen e tij. Në muajt e fundit, emri i Kane është lidhur me disa klube të mëdha evropiane, mes tyre edhe Barcelona, por pavarësisht zërave, një ndarje duket larg. 32-vjeçari ka kontratë të vlefshme me Bayern-in deri në vitin 2027 dhe drejtuesit e klubit nuk kanë asnjë synim ta humbasin sulmuesin kryesor.
Përkundrazi, bavarezët po punojnë për ta forcuar edhe më tej këtë marrëdhënie. Konfirmimi ka ardhur nga vetë drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, i cili ka pranuar publikisht se janë duke u zhvilluar bisedime për rinovimin. “Jemi në tratativa me Harry-n”, ka deklaruar Eberl për Kicker, një fjali e shkurtër, por shumë domethënëse.
Ky qëndrim tregon qartë vullnetin e klubit për të ndërtuar të ardhmen rreth Kane, ndërsa edhe nga ana e lojtarit duket se është i hapur për të vazhduar aventurën në Mynih. Bayerni dëshiron stabilitet, gola dhe lidership, dhe Harry Kane përfaqëson të gjitha këto në një emër të vetëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: