Një ngjarje tronditëse ka prekur nga afër Adrianon, ish-‘yll’ i futbollit brazilian, i cili ka denoncuar publikisht një mashtrim të sofistikuar që ka pasur si viktimë nënën e tij në Rio de Janeiro. Sipas rrëfimit të bërë në rrjetet sociale, persona të paidentifikuar kanë përdorur inteligjencën artificiale për të klonuar zërin dhe identitetin e ish-sulmuesit, duke mashtruar gruan që të transferonte mbi 15 mijë realë brazilianë, rreth 2.400 euro, në një llogari bankare të rreme.
Rasti ka ngritur alarmin mbi përdorimin gjithnjë e më të rrezikshëm të teknologjisë “deepfake”, e cila po shndërrohet në një mjet të fuqishëm për krime financiare. Duke shfrytëzuar lidhjen emocionale mes nënës dhe djalit, mashtruesit arritën të fitojnë besimin e saj, duke e shtyrë drejt një veprimi që më pas rezultoi fatal financiarisht.
Reagimi i Adrianos nuk vonoi. Përmes një videoje të publikuar online, e cila u përhap me shpejtësi në rrjet, ai sqaroi se nuk e ka ndërruar kurrë numrin e telefonit, duke hedhur poshtë çdo pretendim të mashtruesve. I revoltuar, “Perandori” i dha autorit të mashtrimit një ultimatum 24-orësh për kthimin e parave.
“Me familjen time nuk luhet. Ktheji paratë ose do të vij të të kërkoj”, u shpreh Adriano me tone të ashpra, duke paralajmëruar gjithashtu ndjekësit e tij që të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo kërkese të dyshimtë, sidomos atyre që përdorin zëra apo mesazhe të gjeneruara artificialisht. Rasti i tij shërben si një tjetër kambanë alarmi për rreziqet që fshihen pas teknologjisë moderne, kur ajo bie në duar të gabuara.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: