Juventus arriti një fitore bindëse 3-0 ndaj Napolit mbrëmjen e kaluar në “Allianz Stadium”, falë golave të Jonathan David, Kenan Yildiz dhe Filip Kostiç.
Në minutat e fundit të ndeshjes, kur rezultati tashmë ishte i vendosur, tifozët bardhezi i dedikuan disa thirrje ironike ish-mesfushorit dhe ish-trajnerit të tyre, Antonio Conte, i cili aktualisht drejton Napolin.
Pas golit të tretë të shënuar nga Kostiç në minutën e 86-të, stadiumi u ngrit në këmbë duke kënduar në kor: “Antonio Conte, kërce me ne”.
“Football Italia”, e pranishme në stadium, raportoi atmosferën sportive dhe ironike që dominonte në tribunat e tifozëve vendas, të cilët nuk i kursyen shakatë ndaj ish-yllit të tyre. Marrëdhënia mes Contes dhe Juventusit ishte tensionuar ndjeshëm që nga viti 2019, kur trajneri italian pranoi drejtimin e Interit, rivalit historik të “Zonjës së Vjetër”.
Ndërkohë, Romelu Lukaku u prit me fishkëllima të forta nga publiku vendas kur u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë, duke shënuar paraqitjen e tij të parë për sezonin 2025-2026.
Ndryshe nga Conte, reagimi ndaj belgut ishte më kritik dhe më pak sportiv.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: