Dusan Vlahovic do të futet sot pasdite në sallën e operacionit në “Mayo Clinic” të Londrës. Sulmuesi i Juventusit, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në aduktorin e kofshës së majtë gjatë sfidës së kampionatit kundër Cagliarit, të shtunën e kaluar, ka vendosur së bashku me stafin mjekësor bardhezi të braktisë terapinë konservative dhe të zgjedhë ndërhyrjen kirurgjikale.
Për momentin nuk ka një afat të qartë rikuperimi: mjekët presin ecurinë e operacionit dhe të gjithë fazën e rehabilitimit. Megjithatë, parashikimet e para flasin për të paktën tre muaj mungesë, çka do të thotë se rikthimi i mundshëm i serbit nuk pritet të vijë para mesit të marsit.
Lajmi për ndërhyrjen vjen në një periudhë të rëndësishme për Juventusin e Luciano Spalletti-t, i cili do të duhet të përballojë muajt e ardhshëm pa golashënuesin kryesor.
Ndërkohë, vetë Vlahovic ka dërguar një mesazh optimist në Instagram, duke iu drejtuar tifozëve bardhezi me fjalët: “Ci vediamo presto” (Do të shihemi së shpejti). Një shpresë që përqafohet nga i gjithë ambienti juventin, i cili pret rikthimin e sulmuesit sa më shpejt të jetë e mundur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: