Kombëtarja shqiptare shkroi histori duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në “play-off”-in e Botërorit, falë fitores 0-1 ndaj Andorrës me golin e Kristjan Asllanit. Mesfushori Nedim Bajrami, i cili u aktivizua gjatë pjesës së dytë, foli për rolin e tij dhe për mënyrën si ekipi arriti të menaxhonte një sfidë shumë të vështirë.
Bajrami u shpreh se hyrja nga stoli nuk e pengon aspak të ndikojë te loja:
“Besoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Lojtarët që hynë në pjesën e dytë bënë diferencën. Edhe kur nisesh nga stoli, kështu është futbolli, mund të ndryshosh gjithçka për 20 minuta.”
Mesfushori pranoi se çdo futbollist dëshiron të jetë titullar, por shtoi se fryma e grupit mbetet mbi gjithçka:
“Normalisht, çdo lojtar do të luajë. Është e vështirë të qëndrosh në stol, por futbolli është moment. 10 apo 20 minuta mjaftojnë për të dhënë ndikimin tënd. Sot e treguam në fushë dhe morëm 3 pikë të arta në rrugën drejt Botërorit.”
Bajrami tregoi edhe udhëzimet taktike të Sylvinhos, të cilat i dhanë rezultat në fund:
“E nisëm me 4-3-3, pastaj kaluam në 4-2-3-1 dhe funksionoi shumë mirë. Trajneri na dha qartësi dhe lojtarët i zbatuan detyrat si duhet.”
Sa i përket së ardhmes, Bajrami mbetet i fokusuar te Rangers:
“Jam te Rangers dhe jam totalisht i përqendruar aty. Shpresoj që pas grumbullimit me Kombëtaren të kem minuta dhe të marr mundësinë që dua. Jam në formë të mirë. Skocia ka një kampionat të çuditshëm, por kështu është futbolli.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: