Shqipëria ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në fazën play-off të Kupës së Botës 2026, pas fitores minimale 1-0 në transfertë ndaj Andorrës dhe humbjes së Serbisë 2-0 ndaj Anglisë. Është një arritje me peshë historike, që mban firmën e Kristjan Asllanit dhe një grupi që ka treguar vazhdimësi, karakter dhe qetësi në momente kyçe.
Në “Estadi Nacional”, kuqezinjtë dominuan pjesën e parë në aspektin e kontrollit të lojës, por pa arritur të gjenin qartësi në sulm. Rasti më i pastër erdhi në minutat shtesë, kur goditja me kokë e Berat Gjimshitit u ndal nga traversa, duke shtyrë vendimet për pjesën e dytë.
Goli që vulosi fitoren mbërriti në minutën e 67-të të ndeshjes, pas një kundërsulmi të organizuar mirë. Myrto Uzuni shërbeu saktë dhe Kristjan Asllani finalizoi me qetësi, duke dërguar Shqipërinë një hap më pranë ëndrrës botërore. Ky gol, i ardhur në një moment presioni dhe durimi, ishte pika e kthesës së takimit.
Por festa u plotësua minuta më vonë nga rezultati përfundimtar i ndeshjen tjetër të Grupit K. Anglia mposhti Serbinë 1-0, duke i dhënë Shqipërisë sigurinë matematike të vendit të dytë dhe, rrjedhimisht, kualifikimin në ‘play-off’.
Ndeshja e fundit me Anglinë, në ‘Air Albanial’ do të jetë një festë e madhe kuqezi, ku rezultati nuk do të ketë peshë.
Tani kuqezinjtë mendojnë shortin dhe kundërshtarët e radhës, me synimin e qartë për të shkuar deri në fund të rrugës. Botërori 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, është më pranë se kurrë. Shqipëria ka mundësinë të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme, ndërsa skuadra e Sylvinhos tregon se ka forcën dhe maturinë për të përballuar presionin e momenteve vendimtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: