Kombëtarja e Anglisë ka marrë një pajisje të pazakontë për përgatitjet e saj për ndeshjet e ardhshme: një palë pantofla trajnimi të përshkruara si “të bazuara në neuroshkencë”, të cilat, sipas prodhuesit, ndihmojnë lojtarët të ndihen më të qetë, më të përqendruar dhe më të lidhur me trupin e tyre, madje thuhet se mund të rrisin edhe kapacitetin e trurit.
Pantoflat janë pjesë e serisë së re të Nike, të quajtur “Mind”, që përfshin modelet Mind 001 dhe Mind 002. Ato kanë një tabelë me 22 nyje të veçanta në shollë, të cilat aktivizojnë receptorët ndijorë të këmbës për të krijuar një lidhje delikate mes trupit dhe mendjes.
Në praktikë, lojtarët i mbajnë pantoflat gjatë mbledhjeve, në kampin stërvitor dhe përpara ndeshjeve, me synimin që aktivizimi i receptorëve të këmbës të ndihmojë trurin të përqendrohet më mirë dhe të arrijë një qartësi më të madhe mendore.
Trajneri Thomas Tuchel ka folur me humor për këtë risí, ndonëse pranoi se nuk i di mirë detajet shkencore:
“Nuk di shumë për këto pantofla. Më thanë se lojtarët mund të përqendrohen më mirë në mbledhje kur i mbajnë ato dhe nëse ata e besojnë këtë, aq më mirë,” – tha Tuchel.
“E rëndësishme është që ata të besojnë. Ndoshta një ditë do t’i provoj edhe unë. U thashë që të paktën t’i veshin gjatë mbledhjeve të mia… ndoshta edhe në konferencat për shtyp. Pse jo? Më pëlqen të provoj gjëra të reja.”
Sipas mediave britanike, të gjithë lojtarët e Anglisë tashmë po i përdorin pantoflat “Mind”, që janë bërë temë e diskutimit si për teknologjinë e tyre të veçantë, ashtu edhe për efektin psikologjik.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: