De Miñaur çon Alcaraz-in në gjysmëfinale pas fitores ndaj Fritz

De Miñaur çon Alcaraz-in në gjysmëfinale pas fitores ndaj Fritz

17:28, 13/11/2025

Alex De Miñaur, aktualisht numri shtatë në renditjen botërore, ka kaluar nga zhgënjimi në optimizëm brenda dy ditësh. Pas humbjes së rëndë në ndeshjen e dytë të ATP Finals kundër Lorenzo Musetti-t, tenisti australian reagoi fuqishëm këtë të enjte, duke arritur fitoren e tij të parë në turneun e më të mirëve, pas pesë humbjeve radhazi në këtë garë.

De Miñaur mposhti Taylor Fritz me rezultatin 7-6(3), 6-3, duke siguruar kështu kualifikimin e Carlos Alcarazit në gjysmëfinale. Për spanjollin nga Murcia kjo do të jetë hera e dytë që arrin mes katër më të mirëve, pasi kishte bërë të njëjtën gjë edhe në edicionin e vitit 2023.

Me këtë fitore, De Miñaur i ka dhënë fund barazimit në përballjet direkte me Fritz (tani 6-5 në favor të tij) dhe ka treguar se mund të përballet denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë. Deri në këtë ndeshje, ai kishte humbur 16 duele radhazi kundër lojtarëve të “top 10”, përjashtuar ndeshjet në Laver Cup.

Stili i lojës së amerikanit i përshtatet australianit, që shfrytëzon fuqinë e goditjeve të rivalëve për t’u kundërpërgjigjur edhe më fort. Pas fitores, De Miñaur, nën drejtimin e trajnerit Adolfo Gutiérrez, shënoi plot entuziazëm firmën e tij në kamera.

Dy mundësi për Alcaraz-in që të mbyllë vitin si numri një

Kualifikimi i Carlos Alcaraz në gjysmëfinale i jep atij dy mundësi për ta përfunduar sezonin si lojtari numër një në botë.

E para do të vijë nëse ai mposht Lorenzo Musetti-n në ndeshjen e sotme, ndërsa e dyta në gjysmëfinalen e së shtunës.

Nëse Alcaraz fiton ndaj Musetti-t, do të përfundojë në krye të grupit “Jimmy Connors” dhe do të shmangë përballjen me Jannik Sinner deri në një gjysmëfinale të mundshme. Në këtë rast, rivali i Sinnerit do të ishte De Miñaur.

Nëse Alcaraz humbet, do të detyrohet ta sfidojë Sinnerin më herët, në një ndeshje që mund të vendosë gjithçka: për finalen dhe për fronin botëror të tenisit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco