Pushimi i kampionatit vjen në momentin e duhur për Juventusin e Luçiano Spaletit.
Trajneri toskan, që mori drejtimin e “Zonjës së Vjetër” pas shkarkimit të Igor Tudorit, nuk ka pasur ende kohë të vendosë vulën e tij mbi skuadrën bardhezi.
Të angazhuar menjëherë në një seri ndeshjesh të vështira, mes kampionatit dhe Champions League, bardhezinjtë kanë ndjekur ende gjurmët e sistemit të vjetër me tre mbrojtës, pa mundur të shfaqin plotësisht stilin “spaletian”.
Tani, me kampionatin të ndërprerë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses, trajneri ka më në fund mundësinë të punojë me qetësi mbi një ndryshim të thellë: kalimin në skemën 4-3-3, moduli që e ka shoqëruar në pjesën më të madhe të karrierës dhe që ka sjellë sukseset e tij më të mëdha.
Ideja është të krijohet një Juventus më i gjallë, më i rrjedhshëm dhe më agresiv në fazën sulmuese, një skuadër që nuk pret kundërshtarin, por e sulmon atë.
Në analizën e tri ndeshjeve të para nën drejtimin e tij, Spaletti ka kuptuar se ekipi vuan mungesën e gjerësisë dhe të fantazisë në fazën e fundit.
Kështu, në plan të parë kanë dalë emrat e Zhegrovas dhe Konseisaos, të cilët janë parë si lojtarë kyç për t’i dhënë shpejtësi dhe thellësi krahëve të fushës.
“Zhegrova është djalë i zgjuar dhe i paparashikueshëm, një lojtar që mund të bëjë diferencën sepse ka çmendurinë e bukur të atij që shpik”, ka deklaruar trajneri pas derbit me Torinon.
Sistemi i ri synon gjithashtu të rilindë një sulm më efektiv, duke vendosur Vlahoviç dhe Ildizin në qendër të projektit të ri ofensiv.
Të dy pritet të përfitojnë nga një lojë më direkte dhe më e furnizuar nga krahët, ndërsa mesfusha do të ketë një profil më dinamik dhe teknik, në përputhje me filozofinë e Spaletit. Pushimi për kombëtaret shndërrohet kështu në një laborator të vërtetë taktik.
Qëllimi është i qartë: të krijohet një Juventus që propozon më shumë lojë, që merr iniciativën dhe që shfrytëzon potencialin e madh ofensiv.
Statistikat flasin qartë: për të gjetur një gol nga aksioni i një sulmuesi juventin në Serie A, duhet të kthehemi deri më 20 shtator, kur Konseisao shënoi ndaj Veronës.
Pas asaj date, rrjeta është tundur vetëm nga penalltitë e Vlahoviç dhe Ildiz.
Në prapavijë, plani parashikon mbrojtje me katër, ku Gati dhe Kelli (ose Bremer e Rugani) formojnë qendrën, ndërsa Kalulu e Kambiaso ofrojnë mbulim dhe shtytje në krahë.
Nëse gjithçka funksionon sipas planeve, Juventus mund të dalë nga ky pushim me një identitet të ri – më të freskët, më ofensiv dhe në stilin e vërtetë të Spaletit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: