Kampioni i MotoGP-së, Marc Marquez, ka firmosur zyrtarisht rinovimin e kontratës me Ducati Lenovo Team deri në vitin 2028, duke forcuar një nga bashkëpunimet më të suksesshme të viteve të fundit në botërorin e Motoçiklizmit.
Lajmi u bë i ditur nga Ducati Corse, e cila konfirmoi se projekti sportiv dhe teknik me pilotin spanjoll do të vazhdojë edhe për dy sezone të tjera, me objektiva gjithnjë e më ambicioze në MotoGP.
Që nga bashkimi në fillim të vitit 2024, Marquez dhe Ducati kanë ndërtuar një dominim të fortë në pistë.
Në sezonin 2025, piloti spanjoll regjistroi 14 fitore në Sprint dhe 11 në gara të plota, duke siguruar titullin kampion pesë gara para përfundimit të kampionatit dhe duke vendosur rekord pikësh në një sezon me 545 të tilla.
Rinovimi vjen në një moment simbolik për Ducatin, i cili feston 100-vjetorin e themelimit, ndërsa Marquez ka kaluar kuotën historike të 100 fitoreve në karrierë në të gjitha kategoritë e MotoGP-së.
Piloti spanjoll u shpreh i lumtur për marrëveshjen e re, duke theksuar lidhjen e fortë me skuadrën italiane: “Jam i kuq. Jam shumë i lumtur që vazhdoj me Ducati Lenovo Team. Kur vendosa të vij këtu, isha i bindur se ky ishte projekti më konkurrues. Ata besuan tek unë dhe ndërtuam një raport të fortë me punë dhe besim”, tha Marquez.
Ai shtoi se rinovimi i jep qetësi dhe stabilitet për të vijuar karrierën në nivelin më të lartë dhe për të synuar suksese të reja në vitet e ardhshme.
Me këtë marrëveshje, Ducati dhe Marquez synojnë të vazhdojnë dominimin në MotoGP dhe të shkruajnë edhe kapituj të rinj në historinë e këtij sporti.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: