Kapiteni i Kroacisë, Luka Modric, është gati të shkruajë një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Në ndeshjen ndaj Panamasë në Kupën e Botës 2026, mesfushori 40-vjeçar do të arrijë shifrën historike të 200 paraqitjeve me fanellën e kombëtares, duke u bërë vetëm futbollisti i katërt në histori që prek këtë kuotë pas Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Bader Al-Mutawa.
Dy dekada pas debutimit të tij, Modric vazhdon të jetë figura më e rëndësishme e Kroacisë.
Megjithatë, jubileu i tij vjen në një moment delikat. Kroacia u mposht nga Anglia në ndeshjen e parë të Botërorit dhe tani ka nevojë urgjente për fitore ndaj Panamasë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Sezoni i fundit nuk ka qenë i lehtë për veteranin kroat. Në prill ai pësoi një frakturë të rëndë në fytyrë gjatë një ndeshjeje mes Milanit dhe Juventusit, duke iu nënshtruar një operacioni dhe duke zhvilluar një garë me kohën për të qenë gati për Botërorin. Për këtë arsye, paraqitja ndaj Anglisë u kritikua nga mediet kroate, të cilat vunë në dyshim gjendjen e tij fizike.
Megjithatë, trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, vazhdon t’i besojë plotësisht kapitenit.
Sipas tij, Modric mbetet lideri absolut i skuadrës, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, dhe shembulli më i mirë për brezin e ri.
Që nga debutimi në vitin 2006, Modric ka zhvilluar 199 ndeshje dhe ka shënuar 29 gola me Kroacinë.
Ai e udhëhoqi kombëtaren drejt finales së Kupës së Botës në vitin 2018 dhe drejt vendit të tretë në vitin 2022, ndërsa fitoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë të turneut në Botërorin e Rusisë.
Pavarësisht gjithë këtyre arritjeve, një trofe me Kroacinë mbetet pengu më i madh i karrierës së tij.
Prandaj, Botërori 2026 mund të jetë mundësia e fundit që Modric të kurorëzojë një rrugëtim legjendar me suksesin më të madh të mundshëm.
Në Toronto, kundër Panamasë, ai nuk do të luajë vetëm për paraqitjen e 200-të.
Ai do të luajë edhe për ëndrrën e fundit të një karriere që tashmë ka hyrë në histori.
© SYRI.net