Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka bërë deklarata të forta gjatë “Football Business Forum” të organizuar në universitetin “Bocconi”, ku ka kritikuar ashpër gjendjen e stadiumit “Diego Armando Maradona” dhe mënyrën si menaxhohet futbolli italian.
“Stadiumi ‘Maradona’ është një tualet,” – tha De Laurentiis pa hezitim, duke theksuar diferencën e madhe të të ardhurave me klubet europiane:
“PSG nuk e zotëron stadiumin e vet, por me të njëjtën shumë që unë ipaguaj Bashkisë së Napolit, ata fitojnë 100 milionë euro në vit. Milani dhe Interi marrin 14 milionë në një mbrëmje Championsi, ndërsa unë në atë tualet maksimalisht 3 milionë. Si mund të blej unë lojtarë prej 50-60 milionë eurosh për të konkurruar me ta?”
Ai kujtoi se problemet e stadiumit datojnë që nga Botërori i vitit 1990:
“Atëherë bënë një katastrofë të plotë, thjesht vodhën para. Tani unë duhet të rinovoj stadiumin, ndërkohë që luaj dhe përballoj një ndikim të madh ekonomik.”
De Laurentiis kërkoi ndërtimin e një impianti modern me hapësira parkimi dhe kushte dinjitoze për tifozët:
“Dua një stadium me shumë parkingje. Kush thotë se njerëzit do të vijnë me transport publik, gënjen! Tifozët duan të vijnë me makinën e tyre, ta gjejnë të pastër e të sigurt pas ndeshjes.”
Presidenti i Napolit nuk kurseu as politikën:
“Politikanët nuk kuptojnë asgjë nga futbolli dhe nuk e dinë drejtimin që po merr ky sport.”
Në fund, ai lëshoi një paralajmërim për presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s, Gianni Infantino dhe Aleksander Ceferin:
“Duhet të jemi të kujdesshëm të mos e ulim vlerën e kampionateve kombëtare. Nëse vazhdojmë kështu, do të mbetet vetëm një kampionat europian dhe do të duhet të ndryshojmë krejtësisht rregullat e lojës.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: