Më 11 tetor do të luhet ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026.
Kjo sfidë i kalon kufijtë sportivë, pasi në radhë të parë kërkohet siguria.
Kujtojmë që 11 vjet më parë (14 tetor 2014) në Beograd pati trazira dhe u ndërpre takimi mes dy skuadrave, duke u krijuar një nga incidentet më të mëdha futbollistike.
Ndaj, këtë herë siguria është kryesorja për sfidën e 11 tetorit, e cila nga Beogradi është postuar në Leskovac.
Për të folur për këtë temë të nxehtë, në studion e “Kafe Shqeto” në Syri TV ishte i ftuar gazetari sportiv Tami Kona, i cili në diskutimin me moderatorin Flavio Qarri theksoi: “Për një ndeshje futbolli, UEFA dhe FIFA kanë rregulla të përcaktuara, ku stadiumi nuk duhet të jetë më shumë se 150 kilometra nga aeroporti.
Vendi ku është çuar ndeshja, në Leskovac, ka një stadium të ri, me 8 mijë vende. Është më afër nga Gjilani dhe nga Prishtina 2 orë, pra në kufi me Kosovën. Kjo është bërë sepse serbët kishin probleme në ndeshjen me Anglinë, pasi ata nuk ndryshojnë dhe s’po e kuptojnë në vitin 2025 që Kosova nuk ka qenë dhe nuk është Serbi. Kjo e ndërlikon situatën dhe e bën këtë ndeshje që t’i kalojë caqet e futbollit
Tani duhet të nisemi për një ndeshje futbolli dhe të mendojmë a e kemi të sigurt jetën. Qeveria Serbe është ankuar në Federatën Serbe që ndeshja të mos luhet në Beograd. Ne si futboll shqiptar na intereson të shkojmë të luajmë një ndeshje të mirë. Federata Serbe i ka kërkuar ndihmë Federatës Shqiptare që të spostohet kjo ndeshje nga Beogradi në një stadium 8 mijë vendesh. Marrëveshja është të mos ketë tifozë respektivë në të dy ndeshjet. S’do ketë tifozë shqiptarë atje, ashtu sikurse nuk kishte tifozë serbë në Tiranë”.
Më tej, i pyetur për Kombëtaren dhe trajnerin Silvinjo, Tami Kona u shpreh: “Silvinjo është një trajner që ka qenë shumë i përfolur që kur u zgjodh. Një trajner si Silvinjo kur mori ekipin kombëtar nuk kishte dhënë prova. Ka qenë një lojtar i madh, por si trajner i vogël, pasi nuk kishte dhënë asgjë. Vajtja në Evropian, paraqitja atje në një grup të hekurt sikur e rregulloi gjendjen, por pas Evropianit ishim katastrofë.
Formula e Botërorit është e vështirë. Tani garën e kemi me Serbinë. Rezultati pozitiv në Serbi duhet të jetë minimumi barazim. Jemi në një situatë të tillë që çdo humbje e jona merr fund çdo gjë. Kombëtarja në këto momente ka lënë shumë për të dëshiruar”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: