Ka ndërruar jetë Felix Baumgartner, base jumper-i rekordmen: pësoi një shqetësim shëndetësor gjatë një fluturimi me paraglajdër në Fermo.
56-vjeçari dyshohet se ka pësuar një keqësim të gjendjes shëndetësore gjatë një lëshimi, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në pishinën e një resorti në Marche, duke lënduar edhe një vajzë. Me hedhjet e tij nga stratosfera, ai kishte bërë histori dhe kishte vendosur disa rekorde botërore.
Felix Baumgartner, base jumper dhe parashutist austriak, 56 vjeç, ka ndërruar jetë sot në një aksident me paraglajdër në provincën e Fermos. Baumgartner ishte i njohur në mbarë botën për aventurat e tij ekstreme, në veçanti për hedhjen nga stratosfera me të cilën kishte vendosur tre rekorde botërore.

Thuhet se ai ka pësuar një shqetësim shëndetësor gjatë fluturimit dhe ka humbur kontrollin e paraglajdrit, duke rënë në një pishinë të një strukture turistike në Porto Sant'Elpidio. Tragjedia ka ndodhur rreth orës 16:00. Gjatë rënies, mjeti fluturues ka goditur një vajzë, e cila është lënduar, por fatmirësisht nuk është në gjendje të rëndë. Sipas informacioneve të para, në momentin e përplasjes, Baumgartner ishte tashmë i vdekur.

Më 14 tetor 2012, ai u hodh nga një lartësi prej gati 39.000 metrash, duke arritur një shpejtësi maksimale prej 1.357,6 km/h, duke kaluar murin e zërit. Kjo i mundësoi atij të vendoste disa rekorde, përfshirë lartësinë më të madhe të arritur nga një njeri me një tullumbace, hedhjen më të lartë në rënie të lirë dhe shpejtësinë më të madhe të arritur në rënie të lirë. Hedhja e Baumgartner-it mbetet një moment ikonë në historinë e parashutizmit dhe eksplorimit njerëzor (edhe pse rekordi më pas u thye nga Alan Eustace në vitin 2014). ‘Një ëndërr që nga fëmijëria’, kishte thënë ai sapo përfundoi aventurën, duke kujtuar se në një vizatim të bërë në moshën 5-vjeçare, e kishte imagjinuar veten duke u hedhur me parashutë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: