Ta shesin apo të fokusohen sërish tek ai? Leao përçan tifozët e Milanit

Ta shesin apo të fokusohen sërish tek ai? Leao përçan tifozët e Milanit

11:22, 06/05/2024

 

Një talent që vazhdon të përçajë tifozët kuqezinj. Asnjëherë si këtë sezon, Rafa Leao nuk e ka ndarë në dysh opinionin publik, në radhë të parë fansat e Milanit. Të cilët, kohët e fundit, duket se janë më pak të mirëkuptueshëm ndaj portugezit.

Vërshëllimat që erdhën nga tribuna e “San Siros”, gjatë ndeshjes së barazuar 3-3 kundër Genoa, janë një tjetër dëshmi për këtë.

Një paraqitje opake për Leaon, siç ndodh shpesh kohët e fundit, që ngjall dyshime te të gjithë tifozët, e kush e di, ndoshta edhe në klub, për të ardhmen e tij.

Dilemat janë të tilla: Çfarë duhet bërë me portugezin? Të vazhdohet të pritet shpërthimi i tij përfundimtar apo të shitet, duke qenë se gjithsesi nuk mungojnë ofertat?

Ditën e djeshme, Rafa Leao u vërshëllye sërish nga turma e “San Siros”m gjatë ndeshjes kundër Genoa. Në momentin e zëvendësimit, i cili erdhi në minutën e 67-të, portugezi thithi të gjithë pakënaqësinë e tifozëve kuqezinj ndaj tij dhe u rikthye menjëherë në dhomat e zhveshjes, pa e ndjekur si zakonisht pjesën e mbetur të ndeshjes nga pankina.

Ky që do të përfundojë nuk është sigurisht sezoni më i shkëlqyer i Leaos. Shifrat nuk gënjejnë: 7 gola dhe 9 asiste në kampionat (në Serie A e kaluar kishte shënuar 15 gola), 3 gola dhe 4 asiste në 6 ndeshje të “Europa League”, një gol në 5 ndeshje të Champions League dhe 2 gola në Kupë të Italisë. Gjithsej: 13 gola në 44 ndeshje.

Përtej shifrave, këtë sezon, Leao ka qenë tepër jokonsistent dhe krejtësisht jashtë loje në disa ndeshje, shumë prej të cilave ishin vendimtare. Dhe publiku duket se nuk ia fal këtë, aq sa marrëdhënia me tifozët kuqezinj nuk është më idilike.

Edhe pse nuk ishte sezoni i tij më i ndritshëm, Leao me siguri nuk ka mungesë të kërkuesve. Mbi të gjitha, PSG, e cila e ka emrin e tij në listën e post-Mbappé, i predispozuar për t’u tranferuar të Real Madridi këtë verë. Leao është i lidhur me Milanin me kontratë deri në vitin 2028, në të cilën ka një klauzolë lirimi me vlerë 175 milionë euro.

Portugezi, megjithatë, mund të largohet për një shumë më të ulët se klauzola, por gjithsesi shumë e rëndësishme. Duke fituar para nga shitja e tij, kuqezinjtë do të kishin një thesar të konsiderueshëm për të riinvestuar në treg, për ta forcuar skuadrën në disa reparte.

Stefano Pioli gjatë këtij sezoni e ka cilësuar shpesh si “artist”. Dhe si të gjithë artistët që respektojnë veten, edhe Rafa Leao duhet pritur e përkëdhelur. Ulje-ngritje po, por për cilësitë e portugezit nuk bëhet fjalë. Talent mbi mesataren, i aftë për t’i vendosur ndeshjet në çdo kohë.

Sezonin e ardhshëm, Milani do të ndryshojë trajner dhe ajri i ri që do të fryjë në Milanello mund ta ndihmojë atë të rifitojë shkëlqimin e vet më të mirë. Vendosja e tij në qendër të ciklit të ri teknik mund ta bëjë përgjegjës dhe ta lejojë të ndërmarrë atë hap të mëtejshëm që do ta çonte në nivelin e më të mirëve në rol.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco