Starti më i keq që pas vitit 1954, Ajaxi shkarkon trajnerin

Starti më i keq që pas vitit 1954, Ajaxi shkarkon trajnerin

22:45, 23/10/2023

Nuk ka më kohë për Maurice Steijn. Ajax Amsterdam njoftoi lajmin për shkarkimin me efekt të menjëhershëm të trajnerit holandez.

50-vjeçari nuk i bëri një start të mirë aventurës te “Harkëtarët”, pavarësisht investimeve rekord me vlerë mbi 100 milionë euro në verë dhe si rrjedhojë pagoi çmimin duke u larguar nga 36-herë kampionët e Holandës.

Steijn u emërua në verë tek Ajaxi, pas periudhës impresionuese me Spartën e Rotterdamit.

Nën udhëheqjen e Steijn në sezonin e kaluar, roterdamasit përjetuan një sezon fantastik, duke u renditur në vendin e 6-të dhe duke u kualifikuar në zonën play-off të Conference League.

Sidoqoftë, Maurice Steijn nuk përsëriti të njëjtin rendiment edhe tek klubi më i titulluar në Holandë.

50-vjeçari e drejtoi Ajaxin në 11 ndeshje, në sfidat mes Eredivisie dhe Europa League, dhe mori vetëm 2 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje.

Dy fitoret e vetme erdhën ndaj Heracles Almelo në ndeshjen e parë të sezonit dhe ndaj Ludogorets në fazën play-off të Europa League.

E tepërt për Maurice Steijn rezultoi humbja në fundjavë ndaj Utrecht me rezultatin 4-3.

Në këtë periudhë, Ajaxi do të drejtohet përkohësisht nga asistenti Hedwiges Maduro, që do ta nisë aventurën me dy përballje delikate ndaj Brightonit dhe PSV Eindhoven në harkun e pak ditëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco