'Nuk po luaj në pozicionin tim', Taipi: Te Partizani për trofe, kujdes Kukësin!

'Nuk po luaj në pozicionin tim', Taipi: Te Partizani për trofe, kujdes Kukësin!

16:52, 07/10/2023

Gjelbrim Taipi është një nga afrimet më me eksperiencë që Partizani bëri në merkaton e verës. Me ardhjen e tij, ai i ka shtuar pjekuri mesfushës së kuqe, teksa nesër ka një betejë, që e përball me të shkuarën. Kampionët sfidojnë Kukësin në llogari të javës së shtatë në stadiumin “Arena e Demave” në orën 18:00.

Para kësaj sfide, mesfushori ka folur për këtë start të aventurës me të kuqtë, pozicionin e tij ideal, konkurrencën dhe objektivin “titull”. 30-vjeçari nuk do nënvlerësime ndaj Kukësit, pavarësisht se pranon se ka diferenca sa u përket emrave.

Nga Kukësi te Partizani. Sa shumë gjëra ndryshojnë?

Të gjithë e dimë se Partizani, si nga ana organizative, ashtu edhe sa i përket kualitetit të futbollistëve, është më lart dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Gjithashtu, kur po negocioja me Partizanin, ishim edhe në Europë dhe kjo ishte një mundësi shumë e mirë për mua. Me pak fat mund të kualifikoheshim në grupe.

Si ju duket skuadra, sa e fortë është?

Skuadra është mjaft e mirë, ka lojtarë shumë cilësorë. Të atij niveli që dita-ditës presin të bëjnë lëvizjen e madhe në karrierë për t’u transferuar në ligat e mëdha. Kanë bërë shumë mirë te Partizani dhe mendoj se është grup shumë i fortë, me futbollistë kualitativë. Kjo i jep rëndësi ardhjes sime, sepse jam këtu për të fituar trofe.

Sa e fortë është konkurrenca në mesfushë?

Kur kam pasur bisedat e para me drejtorin, nuk kam ardhur me kushtin për të luajtur titullar apo gjëra të tilla. Ka qenë dëshira e klubit që të vija dhe të ndihmoja skuadrën, duke parë eksperiencën time. Unë nuk kam luajtur në pozicionin tim si mesfushor gjysmë i majtë, kam luajtur djathtas dhe pas sulmuesve. Kudo ku skuadra ka pasur nevojë për mua, i jam gjendur afër dhe këtë do ta bëj pa problem edhe në të ardhmen. Nuk e vuaj këtë fakt, pasi te Kukësi kam pasur sukses individual, por ai kolektiv na ka munguar dhe këtë dua ta kompensoj te Partizani. Kjo është arsyeja që kam ardhur këtu, për sukses ekipor. Mehmeti, Murataj, Rrapaj dhe Maget janë lojtarë shumë të fortë. Për mua nuk ka asnjë problem, ndoshta do të vijë edhe momenti kur të jem në pozicionin tim ideal. Ky është një projekt afatgjatë, kur në të ardhmen do të synohen sërish grupet e një kompeticioni europian.

Sa besim keni për titullin kampion dhe cilët janë rivalët që mund t’ua “kërcënojnë” objektivin?

Partizani, jo vetëm këtë vit, por në tri vite që jam në Shqipëri, është skuadra pretendente, që kërkon çdo herë trofeun. Edhe po të duam ne futbollistët apo drejtuesit, nuk e mohojmë dot këtë objektiv. Dihet që me investimet, të cilat i ka bërë presidenti dhe me ardhjen e trajnerit, që është i një niveli tjetër, jemi për atë sukses. Sa u përket rivalëve, do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe nuk do të shohim emrat. Kampionati shqiptar gjithnjë ka ndeshje kur me një humbje të vogël vëmendjeje, të ikin pikët. Kështu që mendoj se me këtë kontingjent lojtarësh që ka Partizani, është një luks për trajnerin, por edhe për vetë lojtarët, pasi konkurrenca është një element që të bën akoma më të fortë dhe do t’u shërbejë edhe më shumë këtyre djemve, pasi kur shkon jashtë vendit, ekipet kanë nga 2-3 lojtarë për çdo rol dhe kjo eksperiencë këtu, i bën të shkojnë të gatshëm më pas në Europë.

Si është të përballesh me Kukësin. Keni kaluar tri vite atje, keni një ndjesi ndryshe në krahasim me sfidat e tjera?

Normalisht, kam kaluar tri vite shumë të mira nga ana personale, megjithëse sa i përket pjesës së ekipit kemi vuajtur veçanërisht në fazën e katërt, sidomos në vitin e dytë me Longon. Ndoshta ka ndikuar edhe mungesa e eksperiencës së disa lojtarëve, por që normalisht, kur luan ndaj një ish-skuadre, ku ke kontribuar më shumë se 100 ndeshje, e mban brenda atë ndjesinë ndryshe. Gjithsesi, Kukësi tashmë është e shkuara, jemi profesionistë dhe duhet të shohim para. Nuk ka asnjë dyshim që do të jap 100%-shin dhe do të dua ta mposht Kukësin.

Kukësi është një skuadër më e dobët se vjet për sa u përket emrave, por edhe asaj që ka treguar në fushë. Është Partizani superfavorit në këtë sfidë?

Kampionati shqiptar ka gjithnjë surpriza. Duke i krahasuar futbollistët e Partizanit dhe të Kukësit një e nga një, mund të thuhet se jemi favoritë, por nëse jemi të përqendruar për 90 minuta dhe nëse nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin, mendoj se do t’ia dalim me sukses. Por nëse nisemi në atë rrugë se Kukësi nuk ka skuadër të mirë, do ta kemi shumë të vështirë në këtë ndeshje, por edhe në vazhdim nëse mbajmë këtë mendësi, tha Taipi për “Panorama Sport”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco