Themelohet në Shqipëri shoqata 'FC Köln-Albania'

Themelohet në Shqipëri shoqata 'FC Köln-Albania'

21:17, 14/06/2023

Në Shqipëri është themeluar shoqata sportive “FC Köln-Albania”. Inisiativa u realizua nga një grup shqiptarësh, kryesisht nga kolonia e Këlnit, me rastin e 75-vjetorit të krijimit të klubit të famshëm të futbollit gjerman. Mes tyre janë edhe anëtarë të tifozëve “Kuqezi”, në respekt të idhujve të Kombëtares, Mavraj dhe Roshi që kanë luajtur vitet e fundit për ngjyrat e FC Köln.

President i shoqatës “FC Köln-Albania” u zgjodh gazetari sportiv Gerard Chakmakjian, një fans i njohur i Këlnit dhe qytetar prej dy dekadash në këtë vend të mrekullueshëm të Nordrhein-Westfales. Ndërsa sekretar, u zgjodh Elvi Fundo, edhe ky gazetar që prej 5 vitesh jeton në Gjermani.

Klubi me rreth 100 mijë anëtarë në Gjërmani (i katërti në të gjithë vendin) duket se ka mjaft fansa edhe në Shqipëri. Në shoqatë bëjnë pjesë intelektualë dhe profesionistë të ndryshëm si avokatë, biznesmenë të fushave të ndryshme, informaticienë, ekonomistë dhe shumë qytetarë që kanë pasion futbollin dhe ndjekin ekipin legjendat të Këln-it

Ndeshjet, sidomos ato ndaj Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen, ndiqen jashtëzakonisht edhe në vendin e shqiponjave, ku Bundesliga është një prej atraksioneve sportive më të ndjekura. E veçanta e fansave të  FC Köln në Shqipëri është se mes tyre nuk ka vetëm të rinj. Si fituese e sezonit futbollistik të vitit 1961 dhe tre vite më vonë, si kampionia e parë e Bundesligës, FC Köln, ka edhe një brez tjetër fansash.

Tifozët shqiptarë të viteve 60-70 nuk i harrojnë tre ndeshjet barazim me Liverpulin dhe më pas eliminimin me monedhë nga çerekfinalja e Kupës së Europës. Edhe finalja e Kupës UEFA 1985-1986, e humbur ndaj Real Madridit apo gjysmëfinalja e Kupës Evropiane 1978-1979, me Nottingham Forest, nuk kishin si të mos linin shenjë te tifozët shqiptarë të futbollit. Ishte koha e futbollistëve si Pierre Littbarski dhe Bernd Schuster dhe më pas, Schumacher, Cullmann, Herbert Zimmermann, që u bënë kampionë evropianë. Por edhe trainerit të famshëm Rinus Michels, pas sukseseve me Ajax, Barcelona dhe kombëtaren holandeze. Pak vite më vonë futbollistët e FC Köln Bodo Illgner, Pierre Littbarski, Thomas Häßler dhe Paul Steiner bëhen kampionë bote me kombëtaren.

Pikërisht në këtë kohë në Shqipëri përmbyset regjimi komunist dhe mijëra e mijëra shqiptarë, mbërrijnë në Evropë dhe Gjermani, shumë prej të cilëve banojnë edhe sot në Këln. Janë pikërisht ata, të rritur me historitë e vjetra të FC Köln, por edhe me ato që përjetojnë çdo javë në

“RheinEnergieStadion” që sapo kanë krijuar në Shqipëri shoqatën “FC Köln-Albania”. 

Së shpejti do të publikohet edhe logo zyrtare, oranizimet e eventeve, shoqata do ketë zyrën e saj dhe ambientet ku do ftohen fansat të ndjekin së bashku sfidat e ekipit të Këln duke shijuar edhe birren Gaffel Kölsch (që tashmë e gjeni dhe në Tiranë), tradicionalen e zones dhe sponsorin zyrtar të FC Këln.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco