Reali bën gati 120 milionë euro për sulmuesin e Juventusit

Reali bën gati 120 milionë euro për sulmuesin e Juventusit

10:23, 21/02/2023

Një bombë merkatoje vjen nga Spanja mbi Dushan Vlahoviçin.

Sipas asaj që raporton “AS”, sulmuesi i Juventusit ka përfunduar në shënjestrën e Realit të Madridit.

Ky është vijim madje i lajmeve që i njëjti burim kishte grumbulluar prej javësh mbi bomberin serb, duke qenë se sërish e përditshmja madrilene garanton se 23-vjeçari ka qenë vërtet fare pranë largimit nga Torino, për një shifër mes 100 dhe 120 milionë eurove, por në fund ka qenë menaxheri i Vlahoviçit ai që ka frenuar gjithçka dhe ndoshta arsyeja mund të jetë pikërisht Reali i Madridit.

Klubi që kishte vendosur të bënte çmendurinë e radhës në merkato ka qenë Manchester United, i cili pasi kishte bindur Juventusin me këto numra marramendës dhe kishte marrë leje që të fliste me vetë futbollistin për një transferim të mundshëm, në fund menaxheri Darko Ristiç ka vendosur që të marrë ende kohë deri në verë, lidhur me një tjetër destinacion për klientin e tij, më konkretisht klubin që të gjithë ëndërrojnë.

Dhe ja tek vjen konfirmimi i radhës se në “Santiago Bernabeu” janë të bindur se Dushan është pasardhësi i denjë i Karim Benzemasë, i cili pas dy sezoneve prej një jashtëtokësori, sivjet ka nisur që të frenohet nga disa probleme fizike të vazhdueshme dhe sigurisht që me moshën që avancon (35 vjeç aktualisht), pa dyshim që vazhdimësia është diçka e vështirë për t’u gjetur.

Ideja e presidentit Florentino Perez, por edhe miratimi i trajnerit Carlo Anceloti, ka bërë që Reali të nisë sulmin total, për të njëjtën shifër që ofroi edhe Manchester United 100-120 milionë euro dhe për të mbyllur tratativën në këtë verë.

Juventusi nga ana e tij nuk do të bëhet absolutisht pengesë, pikësëpari se ndoshta nuk do të mund t’i ofrojë atë arenën e rëndësishme europiane për sezonin e ardhshëm që u duhet absolutisht futbollistëve me famën e tij dhe sponsorët e shumtë që e përndjekin, por në të njëjtën kohë, “Zonja e Vjetër” ka nevojë që të mbushë arkat, duke qenë në vështirësi financiare.

Dhe fatkeqësisht, për të disatin vit radhazi, Juventusi duhet sërish të shesë një prej talenteve që zbulon, e përgatit dhe ua bën gati klubeve që kanë likuiditet pa limit, si Reali i Madridit.

Madje, duke qëndruar te rekordmenët europianë, presidenti Florentino Perez, kujtojmë që ka garantuar për merkaton e verës një thes prej 350 milionësh, me të cilët përveç Vlahoviçit në shënjestër do të jetë edhe Kylian Mbappe, apo pse jo edhe Erlind Haaland, nëse Manchester City dënohet për çështjen e financave në të zezë që po hetohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco