Mbi 100 shkelje financiare, Manchester City rrezikon përjashtim nga Premier League

Mbi 100 shkelje financiare, Manchester City rrezikon përjashtim nga Premier League

15:25, 07/02/2023

Skandalet financiare vijojnë të trondisin futbollin kontinental. Pas Juventusit në Itali, çështja e radhës ka shpërthyer në Angli. Në bankën e të akuzuarve është Manchester City. Klubi që ka dominuar në Premier League gjatë sezoneve të fundit, akuzohet se ka thyer në mënyrë të përsëritur rregullat e Fair Play Financiar.

Premier League njoftoi nisjen e hetimeve. Në mënyrë më të detajuar, pas kontrolleve të zhvilluara për katër vjet, Manchester City akuzohet se ka realizuar mbi 100 shkelje ekonomiko-financiare. Periudha lidhet nga sezoni 2009-2010 deri në edicionin 2017-2018.

Sipas deklaratës së ligës angleze të futbollit, hetimet konfirmuan sponsorizimet e fryra nga Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi nga e kanë origjinën edhe pronarët e Manchester City. Premier League nisi të shqyrtojë situatën financiare të klubit, pas dokumenteve konfidenciale të publikuara nga Football Leaks.

Klubi akuzohet se nuk ka dhënë informacione të sakta financiare, në veçanti për sa i takon përfitimeve nga sponsorizimet dhe shpenzimeve operative. City akuzohet edhe për mungesë transparence me kontratat e trajnerëve dhe lojtarëve, se ka shkelur rregullat e fair play të UEFA-s, ka shkelur rregullat që lidhen me përfitimet dhe nuk kanë bashkëpunuar në hetime.

Nëse lista e gjatë e akuzave konfirmohet, klubi rrezikon penalizim me pikë në renditje, e madje edhe përjashtimin nga kampionati. Të rrezikuar janë edhe trofetë e fituar gjatë periudhës së hetimit, ku bëhet fjalë për tre tituj kampionë në Premier League, një FA Cup dhe tre Superkupa të Anglisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco