Trajneri i përgatitjes atletike, ja çfarë duhet të dini për kursin e FSHF që nis më 9 janar

Trajneri i përgatitjes atletike, ja çfarë duhet të dini për kursin e FSHF që nis më 9 janar

19:32, 06/01/2023

Federata Shqiptare e Futbollit rikthen javën e ardhshme kursin e formimit për trajnerët e përgatitjes atletike, që organizohet nën kujdesin e Drejtorisë Teknike e që vjen me një program akademik të spikatur me plot emra të njohur në fushën akademike.

Tashmë ka përfunduar procesi i regjistrimit me kursin që do të startojë më datën 9 janar 2023 e që do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit për t’u finalizuar më 17 mars 2023.

Në total kursi është i përbërë nga 84 orë ku do të jenë të angazhuar pedagogë të njohur në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht në Itali.

Lektorë e huaj do të jenë Paolo Bertelli, Francesco Perondi, Riccardo Capanna, Roberto Sassi, Francesco Cuzzolin, Ferretto Ferretti, Davide Pisoni, Ermanno Rampinini, Andrea Azzalin, Armando Fucci, Agostino Tibaudi, Oscar Ortega, Paolo Gaudino, Cristoforo Filetti dhe Luigi Febbrari.

Për t’u theksuar fakti se në këtë kurs do të ketë edhe lektorë shqiptar, të cilët janë formuar vitet e fundit profesionalisht pikërisht nga programet e Sektorit të Edukimit në FSHF dhe tashmë vijnë në rolin e pedagogut dhe sjellin eksperiencën e tyre, pasi punojnë si trajnerë të përgatitjes atletike në futbollin shqiptar.

Më konkretisht ato janë Aurel Loci, Mark Dodaj, Klea Zito, Donald Mziu, Arsim Tërshani, Fatos Ademi, Lekë Termkolli, Andi Kulli dhe Ervin Baku.

Siç është bërë e ditur, ky kurs merr një rëndësi të madhe për faktin se FSHF ka përfshirë në rregulloret e sezonit të ardhshëm detyrimin që çdo klub të ketë në stafin teknik një trajner të përgatitjes atletike të licencuar pikërisht nga Federata e Futbollit.

Trajneri i përgatitjes fizike po bëhet gjithmonë e më shumë një profesion mjaft i kërkuar dhe është një pjesë shumë e rëndësishme për një skuadër në futbollin e sotëm në një kohë që është bërë e domosdoshme për çdo klub që të ketë një specialist të mirëfilltë të fushës.

Interesi për këtë kurs është mjaft i lartë, ndërkohë që niveli i trajnimit ashtu si edhe vitin e kaluar do të jetë mjaft i lartë në aspektin akademik.

Kursi i trajnerit të përgatitjes atletike është një mundësi shumë e mirë për të gjithë të interesuarit që punojnë në botën e futbollit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco