Nga Katari në ‘Botën e Re’… të gjitha detajet e kampionatit të vitit 2026

Nga Katari në ‘Botën e Re’… të gjitha detajet e kampionatit të vitit 2026

16:35, 23/12/2022

Kupa e Botës në Katar uli siparin të dielën, pas një finaleje drithëruese, ku Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi arriti të triumfonte përballë Francës, falë penalltive.

Finalja në vetvete u konsiderua gjerësisht si më e bukura e historisë, ndërsa i gjithë turneu pati vlerësime por edhe kritika, kryesisht politike, të lidhura me respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e vendit organizator.

Por edhe pse kanë kaluar pak ditë nga mbyllja e turneut, tani të gjithë sytë janë spostuar nga ‘Bota e Re’, aty ku pas 4 vitesh, do të zhvillohet Botërori i ndarë në 3 shtete, Kanada, SHBA dhe Meksikë.

Image

 

Botërori 2026 do të zhvillohet në 16 stadiume të shpërndara në të gjithë atë që quhet kontinenti i Amerikës së Veriut, ku ndeshjet do të luhen mijëra kilometra larg njëra-tjetrës, ndryshe nga sa ndodhi në Katar, ku të gjithë stadiumet ishin vendosur në një qytet, të arritshme në pak minuta distancë.

Botërori i ardhshëm do të jetë edhe i pari në të cilin do të marrin pjesë 48 skuadra, jo 32, siç ka qenë pjesëmarrja që prej Kupës së Botës së vitit 1998. Sipas formatit të ri, do të ketë më shumë skuadra nga Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut. Gjithashtu, për herë të parë, do të ketë një vend të sigurt nga Oqeania, ku bëjnë pjesë Zelanda e Re dhe shtete të tjera ishullore në Paqësor.

Botërori i ardhshëm gjithashtu pritet të zgjasë 33 ditë dhe në total do të luhen 104 ndeshje, më shumë se kurdoherë. Skuadrat do të ndahen në 12 grupe me nga 4, por problemet fillojnë te faza me eliminim të drejtpërdrejtë.

Pse u vendos për zgjerimin e turneut?

Arsyeja kryesore është paraja. Sipas parashikimeve të vetë FIFA-s, organizata do të arkëtojë 11 miliardë dollarë deri në dhjetor 2026, për shkak të biletave, të drejtave televizive dhe marrëveshjeve të sponsorizimit. Në të gjitha ndeshjet pritet të ketë dyndje tifozësh, për shkak se popullariteti i sportit vijon të rritet në Amerikën e Veriut.

FIFA parashikon që 5,5 milionë tifozë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në turne. Për krahasim, 3,6 milionë tifozë morën pjesë në Botërorin e vitit 1994, të zhvilluar vetëm në SHBA, ku mesatarisht 68 mijë vetë ndiqnin çdo ndeshje.

Kush përfiton nga formati i ri?

FIFA thotë se në turneun e pas katër viteve do të ketë më shumë skuadra afrikane dhe aziatike, për shkak të rritjes së popullaritetit të futbollit në këto dy konfederata. Në Botërorin 2022 ishin të pranishme 11 skuadra, përfshi Katarin organizator, por edhe Australia, e cila mori pjesë në kualifikueset e Azisë e më pas mundi Perunë në playoff.

Në Botërorin 2026 do të ketë minimumi 17 skuadra nga këto dy konfederata dhe maksimumi 19, në varësi të atyre që do të fitojnë sfidat në playoff. Gjithashtu, do të ketë minimumi 6 skuadra nga CONCACAF, konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve. Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika janë si vende organizatore, por edhe 2 skuadra të tjera do të kenë mundësi të kalojnë nëse fitojnë në playoff.

Ku do të luhen ndeshjet?

Në total, takimet për këtë Botëror do të zhvillohen në 16 stadiume në po kaq qytete. Disa prej stadiumeve do të rinovohen para nisjes së turneut dhe në disa do të shtrohet bar natyral, pasi sipas rregullave të FIFA-s bari artificial nuk është i lejuar.

Në total parashikohet të ketë 80 ndeshje, por kjo shifër mund të shkojë edhe mbi 100, në varësi të formatit. 60 prej këtyre ndeshjeve do të luhen në SHBA, mes tyre çdo ndeshje nga faza çerekfinale e më tej, ndërsa në Kanada dhe Meksikë do të organizohen nga 10 ndeshje.

SHBA-ja dhe Meksika kanë organizuar edhe më parë Kupën e Botës. Por ndërsa amerikanët kanë vendosur të mos përdorin asnjë prej stadiumeve të vitit 1994 për turneun e pas katër viteve, Meksika ka zgjedhur të risjellë stadiumin ikonë ‘Azteca’, ku janë luajtur ndeshje në Botërorët e viteve 1970 dhe 1986.

Qytetet dhe stadiumet

SHBA

New York/New Jersey (MetLife Stadium)

Los Angeles (SoFi Stadium)

Dallas (AT&T Stadium)

San Francisco Bay Area (Levi’s Stadium)

Miami (Hard Rock Stadium)

Atlanta (Mercedes-Benz Stadium)

Seattle (Lumen Field)

Houston (NRG Stadium)

Philadelphia (Lincoln Financial Field)

Kansas City, Missouri (Arrowhead Stadium)

Boston/Foxborough (Gillette Stadium)

Kanada

Toronto (BMO Field)

Vancouver (BC Place Stadium)

Meksikë

Guadalajara (Estadio Akron)

Mexico City (Azteca Stadium)

Monterrey (BBVA Bancomer Stadium)

Organizatorët kanë menduar që skuadrat të luajnë ndeshjet e tyre në të njëjtën zonë gjeografike. Në total, turneu është ndarë në 3 zona, lindje, qendër dhe perëndim.

Zona perëndimore

Vancouver

Seattle

San Francisco Bay Area

Los Angeles

Guadalajara

Zona qendrore

Kansas City

Dallas

Atlanta

Houston

Monterrey

Mexico City

Zona lindore

Toronto

Boston

Philadelphia

Miami

New York/New Jersey 

Si do të ndahen skuadrat?

Opsioni më i preferuar është ajo i ndarjes me 16 grupe me nga 3 skuadra. Secila skuadër do të luante dy ndeshje në grup, dhe dy skuadrat e renditua të para do të kalojnë më tej. Por në këtë rast, me vetëm 2 ndeshje, rritet mundësia që skuadrat që do të luajnë ndeshjen e fundit të paracaktojnë rezultatin për të kaluar të dyja. Një akuzë e tillë deri tani është bërë në rastin e ndeshjes mes Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë në Botërorin e vitit 1982, ku të dy skuadrat kaluan grupin në dëm të Algjerisë.

Vetë Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se falë suksesit të fazës së grupeve të Botërorit të fundit, formati mund të qëndrojë, duke i ndarë skuadrat në 12 grupe me nga 4.

Një tjetër mundësi, edhe pse duket më pak e realizueshme është që edhe në ndeshjet e grupeve të mos ketë barazime, pra ndeshjet të kalojnë direkt me penallti, pa u luajtur shtesa.

Ku do të luhet finalja?

Vendimi nuk është marrë ende, por do të caktohet përfundimisht vitin e ardhshëm. Stadiumi që duket se ka më shumë shanse për të qenë vendi i finales është ai ‘MetLife’ në Nju-Xhersi, me një kapacitet prej 82 500 vendesh, ku luajnë skuadrat e futbollit amerikan New York Giants dhe New York Jets.

Stadiumi ‘Azteca’ në Meksikë është propozuar për ndeshjen hapëse. Të dy janë kandidatë për finalen, por sipas asaj që ka thënë Infantino, vendimi do të merret pas një vlerësimi të gjatë.

Stadiumi ‘Azteca’ në Meksiko Siti, para finales së Kupës së Botës 1970, Brazil-Itali 4-1. Aty është luajtur edhe finalja e vitit 1986, Argjentinë-Gjermani 3-2.

Image

Po Botërori 2030?

Turneu do të jetë special, pasi përkon me 100-vjetorin e zhvillimit të Botërorit të parë në histori, të luajtur në Uruguai mes 13 skuadrash, dhe të fituar nga vendi organizator.

Uruguai pretendon se duhet organizuar atje pikërisht për këtë fakt, ndoshta duke zhvilluar disa ndeshje edhe në Argjentinë.

Spanja dhe Portugalia gjithashtu duan ta organizojnë së bashku turneun, ndërsa Anglia është tërhequr pasi kërkon të përqendrohet te kandidatura për organizimin e Euro 2028 bashkë me Skocinë, Uellsin, Irlandën dhe Irlandën e Veriut.

Një tjetër kandidat i mundshëm është edhe Arabia Saudite, çka do të thotë një tjetër turne në dimër për shkak të temperaturave të larta në Lindjen e Mesme gjatë verës.

Vendimi përfundimtar për turneun e vitit 2030 do të merret nga Këshilli i FIFA-s në vitin 2024.

/Marrë nga A2CNN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco