Arsenali mposht mes spektaklit Liverpoolin, merr kreun e Premier League

Arsenali mposht mes spektaklit Liverpoolin, merr kreun e Premier League

19:34, 09/10/2022

Arsenal është kthyer në krye të tabelës, pasi e dëshmoi veten edhe ndaj një kundërshtari si Liverpool.

Skuadra e Mikel Arteta ka marrë fitore me rezultatin 3-2, në përballjen me Liverpoolin e Jurgen Klopp.

Takimi mori "flakë" me golin e shpejtë të brazilianit Gabriel Martinelli, i cili i dha epërsinë ‘Gunners’ qysh në minutën e parë.

Me epërsinë e hershme, Arsenali ishte më komod të qëndronin prapa, por kjo i dha shumë liri Liverpoolit.

Skuadra e Jurgen Klopp administroi lojën dhe arriti të barazonte shifrat në minutën e 34’.

Golin e gjeti sulmuesi i transferuar në merkaton e fundit, Darwin Nunez, i asistuar nga Luis Diaz.

Kur mendohej se skuadrat do të shkonin në pushimin 15 minutësh me rezultatin e barabartë, në skenë doli përsëri Martinelli, me një vrapim të shkëlqyer, por kësaj radhe për të asistuar për Bukayo Saka, i cili dërgoi topin në rrjetë.

Megjithatë, me të filluar pjesa e dytë, ‘Reds’ gjetën forcën të reagonin edhe një herë, për të rikthyer baraspeshën.

Ishte sulmuesi brazilian, Roberto Firmino ai që në minutën e 53’ dërgoi topin në rrjetë për 2-2.

Mirëpo, Arsenal nuk kishin thënë akoma fjalën e fundit. Londinezët fituan një penallti në minutën e 76’. Këtë penallti e shndërroi në gol anglezi Bukayo Saka.

Goli i Saka, i shënuar në minutën e 76’ ishte ai që i dha vulën e fitores skuadrës së Arsenal, ndaj një rivali të fortë siç është Liverpool.

Me këtë fitore, Arsenal kthehet në vendin e parë me 24 pikë, një më shumë sesa Manchester City.

Liverpool në anën tjetër, pas dy barazimeve, merr edhe një humbje, për të vazhduar formën e luhatshme këtë edicion. Ata kanë 10 pikë pas tetë ndeshjeve dhe janë në pozicionin e 10-të në tabelë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco