Teqja nuk mjafton, Partizani eliminohet nga Europa pas gjuajtjeve të penalltive

Teqja nuk mjafton, Partizani eliminohet nga Europa pas gjuajtjeve të penalltive

23:02, 14/07/2022

Partizani është eliminuar nga Conference League. “Tw kuqtë” u mposhtën 0-1 në kohën e rregullt nga gjeorgjianët e Saburtalos dhe nga pika e bardhë e penalltive, fati u buzëqeshi miqve, që fituan 5-4 dhe kaluan në turin tjetër.

E si të mos mjaftonte eliminimi, nuk mungoi as tensioni në fund, me tifozët që hodhën një kapsolle pranë portierit gjeorgjian, i cili mbeti i shtrirë, ndërsa më pas fluturuan edhe disa shishe uji në fushë, të cilat Partizani do t’i paguajë me një gjobë të majme.

Pjesa e parë pa gjeorgjianët më kërkues, të cilët jo vetëm kontrolluan topin, por krijuan edhe disa raste të pastra, megjithatë portieri Teqja u konfirmua në super-formë dhe dërgoi skuadrën në pushim me portën e paprekur.

Sfida u zhbllokua në minutën e 53-të nga Guliashvili, që pas një aksioni të shpejtë të Saburtalos, e pa veten i lirë përballë portierit dhe e dërgoi topin në rrjetë me lehtësi, duke u dhënë avantazhin miqve. Pavarësisht rasteve të krijuara, pjesa e dytë dhe ajo shtesë nuk pati surpriza të tjera, me skuadrat që iu drejtuan 11-metërshave.

“Demat” e nisën mirë, pasi Teqja priti tentativën e parë të gjeorgjianëve, por të njëjtën gjë bëri edhe portieri i Saburtalos ndaj mbrojtësit Cvetanovski.

Megjithatë Teqja u tregua vendimtar sërish, duke pritur një tjetër penallti të gjeorgjianëve dhe duke i dhënë Arinaldo Rrapajt penalltinë vendimtare, por mesfushori nuk arriti të shënojë, duke gjetur vetëm shtyllën.

Penalltinë vendimtare e humbi Maguethe, duke bërë që Partizani të mbetej jashtë Conference League, ndonëse optimizmi për të kaluar turin ishte shumë i madh, sidomos pas fitores së parë në Gjeorgji.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco