Broja: Southampton më ka ndihmuar shumë në rrugëtimin tim, po shndërrohem në një burrë

Broja: Southampton më ka ndihmuar shumë në rrugëtimin tim, po shndërrohem në një burrë

08:54, 27/02/2022

Armando Broja është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm për Southampton ndërsa tashmë konsiderohet një titullar fiks i formacionit të trajnerit Ralph Hassenhutl. Futbollisti i kombëtares ka shënuar gjashtë gola në kampionat për “Shenjtorët” ndërsa në llogarinë e tij nuk mungojnë edhe dy realizime të tjera në Kupë.

Statistika të cilat kanë mjaftuar që në adresë të 20-vjeçarit të mbërrijnë shumë oferta nga klube të Premier League, teksa edhe Chelsea që ka në pronësi kartonin e sulmuesit të kombëtares është në dyshim nëse sezonin e ardhshëm duhet ta ketë pjesë të organikës apo ta lejojë edhe për një tjetër sezon larg Stamford Bridge.

Por, e ardhmja e cila duket e ndritur për Brojën ka ende kohë të vendoset dhe lojtari është i përqëndruar te Southampton ndërsa në një intervistë të fundit thekson se aty po shndërrohet në një burrë.

“Është çmenduri si kanë kaluar këto gjashtë muaj te Southampton, koha ka fluturuar. Jam shumë i lumtur me mënyrën si kanë rrjedhur situatat, erdha si një djalosh i ri por çdo ditë jam duke mësuar, duke përparuar dhe po filloj të shndërrohem në një burrë. Kjo është falë Southampton të cilët më kanë ndihmuar shumë në rrugëtimin tim dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të bëj edhe më mirë.

Ndeshja ime e parë në Premier League ishte “Wow”, shumë fëmijë e ëndërrojnë këtë. Në stadiumin St.Mary publiku ishte shumë i dashur, ishte një atmosferë surreale por u mundova të qëndroja i fokusuar te fusha.

Thjesht të jem këtu është një nder, të luash në Premier League. Southampton është një klub që njihet për promovimin e futbollistëve, këtu kanë luajtur Van Dijk, Mane, Hojbjerg. Është një klub shumë i mirë për t’u zhvilluar si lojtar dhe është një ambient shumë familjar. Ndihesh si në shtëpi, i sigurt dhe ku mund të shprehësh lehtësisht cilësitë.

Unë e dija se këtu do të gjeja ambientin ideal për veten, ndaj nuk pata dyshime kur zgjodha Southampton. Sa i përket të ardhmes, nuk dua të mendoj për shumë larg sepse kjo mund të të shkatërrojë mentalitetin dhe mendjen”, u shpreh Broja.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco