Milani refuzon ofertën 50 milion euro për Donnarummën

Milani refuzon ofertën 50 milion euro për Donnarummën

14:08, 27/06/2019

Një tratativë që mbetet pezull. Milani ka kthyer mbrapsht ofertën e parë të PSG-së për portierin Gigi Donnarumma.

Propozimi i drejtorit sportiv të parisienëve, Leonardo, i cili deri pak javë më parë ishte në stafin drejtues të kuqezinjve, ishte 20 milionë euro, plus kartonin e Areolas që vlerësohet 30 milionë euro.

Një shifër e vogël për “Djallin”, që e vlerëson Donnarummën të paktën 60 milionë euro, edhe pse kontrata e “gardianit” skadon në vitin 2021.

Gigi është shumë i ri, vetëm 20-vjeç, dhe duke marrë në konsideratë faktin që sezonin e kaluar Kepa la Bilbaon për t’iu bashkuar Chelseat për 80 milionë euro e Alisson u largua nga Roma për Liverpoolin për pa më shumë se 70 milionë, atëherë oferta e PSG është vërtet për të mos u marrë në konsideratë.

Një ditë më parë, Barcelona shpenzoi plot 35 milionë euro për Neton, që thjesht do të jetë alternativë e Ter Stegen te “Blaugranat”.

Milani ka dyshimet e tij për aftësitë e Areolas, që sezonin e kaluar luajti në 3 ndeshje te PSG mes kampionatit dhe Kupës përkundrejt 25 të Buffon.

Dyshime të mëdha ka dhe vetë Donnarumma, që nuk është ende i bindur për t’u larguar nga “Djalli”.

Milani është nën presionin e kohës, pasi i duhen 30 milionë euro për (Fair Play Financiar), por drejtuesit, nëse nuk rritet oferta për portierin e parë, mund të sakrifikojnë Ricardo Rodriguez dhe Kessie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco