Banorët e zonës së Rrogozhinës paralajmërojnë rrezik serioz për përmbytje, pasi kompania përgjegjëse për ndërtimin e aksit Rrogozhinë-Qafë Thanë, pjesë e ‘Korridorit 8’, po depoziton dhera të grumbulluara nga ndërtimi direkt mbi shtratin e lumit Shkumbin.
Sipas pamjeve të dërguara në redaksinë e SYRI-t, një grumbull i madh dheu ndodhet buzë lumit, i cili sapo ka dalë nga shtrati në tokat bujqësore brenda argjinaturës.
Shkak janë prurjet e shtuara të ardhura deri më tani dhe sipas parashikimeve pritet të dali nga shtrati deri në tokat e Çermë Shkumbinit.
Banorët shprehen të shqetësuar, pasi çdo shi i mëtejshëm mund të fryjë lumin dhe të shpërndajë inertet e grumbulluara, duke i çuar drejt fushave bujqësore dhe pronave private.
Ekspertët paralajmërojnë se veprimet e tilla mund të shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore dhe ekonomike për komunitetin, ndërsa autoritetet lokale ende nuk kanë ndërhyrë për të shmangur katastrofën e mundshme.
Banorët kërkojnë përgjegjshmëri dhe ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur tokat bujqësore dhe sigurinë e zonës.
© SYRI.net