Qarku i Elbasanit është përfshirë gjatë natës nga reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, duke shkaktuar probleme të përkohshme në disa akse rrugore. Pavarësisht motit të keq, strukturat e Emergjencave Civile raportojnë se situata është përgjithësisht nën kontroll dhe pa dëme të mëdha.
Në disa segmente rrugore të qarkut janë regjistruar prani ujërash dhe rënie pemësh për shkak të erës së fortë. Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, qarkullimi u bllokua përkohësisht pas rënies së inerteve në rrugë. Pas ndërhyrjes së firmës kontraktuese, aksi u pastrua dhe është tashmë i kalueshëm për automjetet.
LEXO EDHE: Reshje shiu në Qarkun Kukës, rrugët nacionale të qarkullueshme, disa zona pa energji elektrike
Rënie të ngjashme inertes janë raportuar edhe në akset Gramsh–Moglicë dhe Gramsh–Cërrik, ndërsa probleme me kalueshmërinë janë evidentuar në segmentet Kodovjat–Shelcan, Sotirë–Kërpicë dhe Skënderbegas–Ermenjë. Sipas Bashkisë Gramsh, janë marrë masa për pastrimin e rrugëve dhe po punohet për zhbllokimin e plotë të tyre.
Në hyrje të autostradës Elbasan–Tiranë, në rrethrrotullimin e Shijonit, është shënuar prani e madhe ujërash në rrugë, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, probleme me furnizimin me energji elektrike janë regjistruar në njësitë administrative Përparim (Peqin), Labinot Mal dhe Funar (Elbasan), si dhe në Lunik (Librazhd).
© SYRI.net