Aksidentet rrugore rriten 6.8% në gjysmën e parë të vitit, kryeson Tirana

Aksidentet rrugore rriten 6.8% në gjysmën e parë të vitit, kryeson Tirana

11:47, 27/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aksidentet rrugore në vend u rritën në qershor, ndërsa numri i tyre në gjysmën e parë të vitit u zgjerua me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë një kërcim të muajit të gjashtë të vitit ku edhe pasojat në plagosje dhe humbje jete kanë qenë më të larta.

Gjatë qershorit u regjistruan 132 aksidente, ku mbetën të vrarë ose të plagosur 186 persona, nga 107 aksidente dhe 140 të aksidentuar në të njëjtin muaj të vitit 2025.

Në periudhën janar-qershor 2026 u regjistruan 679 aksidente rrugore, nga 636 një vit më parë.

Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 952, krahasuar me 883 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Sipas INSTAT, 93.9% e aksidenteve të regjistruara në qershor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 35–44 vjeç përbënte peshën më të madhe të drejtuesve të përfshirë në aksidente, me 28% të totalit.

Tirana regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve në vend gjatë gjashtëmujorit, me 277 raste dhe 345 persona të vrarë ose të plagosur. Pas saj renditen Lezha me 74 aksidente dhe Vlora me 67.

Një në katër aksidente ndodhi në intervalin 19:00–24:00, ndërsa dita me numrin më të lartë të rasteve ishte e marta, me 18.9% të totalit. E enjtja regjistroi incidencën më të ulët, me 7.6%.

INSTAT thekson se të dhënat janë paraprake dhe subjekt përditësimi./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco