SYRI TV/ Tirana dhe Elbasani, qytetet me ndotjen më të lartë në Shqipëri

11:29, 25/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tirana dhe Elbasani janë qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në Shqipëri. Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit bën të ditur se në këto dy qytete ka tejkalim të ndjeshëm të grimcave PM10, si dhe të dioksidit të karbonit, i shkaktuar kryesisht nga trafiku i makinave dhe aktiviteti i ndërtimit. Ky nivel ndotjeje mund të shkaktojë ose të përkeqësojë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, si dhe lidhet me rreziqe të tjera për shëndetin.

Tirana dhe Elbasani vijojnë të kenë nivele të larta të grimcave PM10 (pluhur i imët që qëndron pezull në ajër dhe mund të depërtojë në rrugët e frymëmarrjes), duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar.

Elbasani rezulton gjithashtu qyteti i vetëm ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit. Këto janë disa nga të dhënat e Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të cilat janë shqyrtuar nga Monitor.

Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione, ndërsa matjet përfshijnë ndotësit kryesorë të ajrit, për të vlerësuar nëse ajri përmbush standardet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, të cilat krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera. Raporti thekson se këto grimca mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet edhe me rreziqe më të larta për shëndetin.

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjiena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ose 44% mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, ose 49% mbi normë.

Sa i përket dioksidit të azotit, një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial, tejkalimi i vlerës kufi vjetore është regjistruar në Elbasan, ku mesatarja arriti në 40.18 mikrogramë për metër kub.

Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco