Rama sulmoi nënën me djalin autik, qytetarët përgjigjen me solidaritet: 150 mijë dollarë mblidhen për familjen Bulku

Rama sulmoi nënën me djalin autik, qytetarët përgjigjen me solidaritet: 150 mijë dollarë mblidhen për familjen Bulku

20:38, 24/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas incidentit të ndodhur pranë Kuvendit gjatë protestës dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj File Bulkut dhe djalit të saj me spektër autik, Endit, reagimi qytetar ka marrë përmasa të mëdha, me një valë solidariteti në mbështetje të familjes.

Një fushatë e hapur në platformën GoFundMe ka mbledhur deri tani rreth 150 mijë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin fillestar të vendosur për të ndihmuar nënën dhe djalin e saj.

File Bulku ka sqaruar se në momentin e ngjarjes nuk ishte pjesë e protestës, por po kthehej në banesë pasi kishte shoqëruar të birin në terapi. Ajo tha se për shkak të bllokimit të rrugëve përfundoi pranë zonës ku zhvillohej protesta, ku u prek nga uji me piper i përdorur nga policia.

Bulku ka kundërshtuar publikisht versionin e kryeministrit Rama, i cili e akuzoi se ishte përdorur si “mburojë” gjatë protestës. Ajo i ka bërë thirrje kreut të qeverisë të përballet drejtpërdrejt me të dhe të japë shpjegime për deklaratat e tij.

Ndërkohë, deklaratat e Ramës kanë shkaktuar reagime të shumta, pasi kryeministri e cilësoi solidaritetin e protestuesve si “hipokrizi” dhe pretendoi se nëna ishte sjellë pranë Parlamentit “për t’u abuzuar bashkë me fëmijën”, duke e krahasuar këtë me metoda të përdorura, sipas tij, nga organizata terroriste.

Në kontrast me këtë qëndrim të kryeministrit, organizata jofitimprurëse “Brandon Forever 22 Legacy” ka nisur një fushatë humanitare për të mbështetur familjen Bulku, duke evidentuar vështirësitë ekonomike me të cilat ajo përballet.

Sipas organizatorëve, banesa e familjes ka nevojë për rikonstruksion urgjent, ndërsa fondet do të shërbejnë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbulimin e shpenzimeve të trajtimit dhe kujdesit për Endin.

Fushata fillimisht kishte si synim mbledhjen e 85 mijë dollarëve, por mbështetja e qytetarëve dhe kontribuesve ka bërë që shuma të arrijë rreth 150 mijë dollarë.

Organizatorët kanë falënderuar të gjithë kontribuesit dhe kanë bërë thirrje që ndihma të vijojë, me qëllim që familja të ketë mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat e përditshme.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco