Një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja këtë të premte në fshatin Derdush, njësia administrative Dardhas, në Bashkinë Pogradec.
Sipas të dhënave paraprake, si pasojë e goditjes kanë ngordhur rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera kanë mbetur të plagosura.
Tufa, e përbërë nga rreth 190 krerë dele dhe dhi, është në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku. Në momentin e ngjarjes, bagëtitë ishin në shtegtim nga zona e Pirgut drejt kullotave malore, kur u goditën nga rrufeja.
Në vendngjarje janë nisur shërbimet veterinare, të cilat po vlerësojnë gjendjen e bagëtive të mbijetuara dhe po marrin masat e nevojshme. Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në zonën malore, komunikimi me barinjtë dhe pronarët e tufës ka qenë i vështirë.
Autoritetet pritet të bëjnë një bilanc përfundimtar të dëmeve pas përfundimit të verifikimeve në terren.
© SYRI.net