Greqia nxjerr pengesa në lëvizjen e emigrantëve shqiptarë, Marko: Për 'Belerin' dhe për pronat e minoritetit

Greqia nxjerr pengesa në lëvizjen e emigrantëve shqiptarë, Marko: Për 'Belerin' dhe për pronat e minoritetit

09:55, 18/03/2024
A+ Aa A-

“Komuniteti Shqiptar në Greqi”, një lëvizje virtuale, ka njoftuar qytetarët shqiptarë për vendimin më të fundit të Qeverisë greke se nuk mund të udhëtojnë dot më midis dy shteteve me vërtetin për leje qëndrimi.

“Të gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi dhe janë në pritje të lejes së qëndrimit, mund të udhëtojnë drejt vendeve të tyre vetëm me leje qëndrimi, - thuhet në njoftim. -  Nëse jeni në pritje të lejes së qëndrimit dhe keni në duar vërtetimin, nuk mund të udhëtoni as drejt vendit tuaj pas datës 30 mars 2024. Mos bëni gabimin të udhëtoni, sepse nuk do të lejohet hyrja.

E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë ata që ndodhen jashtë Greqisë sot. Duhet të jenë kthyer deri në datën 30 mars, ndryshe nuk do të lejohet hyrja e tyre. Kështu thotë qarkorja e re që është dërguar në të gjitha pikat kufitare.

Nga policia e aerodromit thanë që presin ndryshime, por nuk e dimë a do ketë ndryshime dhe si do funksionojnë ato. Për momentin bëni kujdes”, paralajmëron ky komunitet dhe publikon edhe vendimin që shfaqet në Fletoren Zyrtare të qeverisë greke.

Lidhur me këtë masë të qeverisë greke, ka folur gazetari Stavri Marko nga Greqia në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Z. Marko gjykon se ky është presion diplomatik që i bëhet shtetit shqiptar jo vetëm për “Çështjen Beleri”, të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës që mbahet në burg, por edhe për probleme ekzistenciale të minoritetit, që po i grabiten pronat në bregdet.  

“E veçanta është se kjo pjesë prek vetëm emigrantët shqiptarë, që kanë dorëzuar dokumentacionin në policinë e shtetit në Greqi për të vazhduar procedurat, - shpjegoi ai. - Ka një paqartësi se si do të vendoset në të ardhmen, si do të procedohet. Vendimi është marrë më 28 dhjetor të vitit të kaluar dhe në Fletoren Zyrtare është shfaqur vetëm dje. Kështu që do të thosha, një precedent i parë i demonstrimit të forcës nga ana diplomatike, e Greqisë, për të parë sa më afër marrëdhëniet me Shqipërinë, e cila nuk gjykohet thjesht si qeveri, gjykohet si shtet, sepse kur flasim për shtetin e së drejtës, të gjitha institucionet e pavarura janë pjesë e strukturës  shtetërore.

Ndërkohë që ka qenë më i ashpër reagimi i zotit Makis Voridis, ministër i qeverisë, i cili jo vetëm kaq, po ka theksuar se mund të ndërpriten edhe vizat, mund të kthehet regjimi i vizave për qytetarët shqiptarë që do të thotë njëkohësisht që regjimi i vizave kthehet në të gjithë vendet e Shengenit.

Kjo do ta rëndonte akoma më tepër situatën, në të cilën do të kishim të bënim me një presion të gjerë të Greqisë për të zgjidhur disa probleme që ajo ka jo vetëm me “Çështjen Beleri”, por edhe me minoritetin grek në Himarë dhe në jug, që me thënë të drejtën kërcënohet nga ekzistenca e mëtejshme në të gjithë hapësirën ku ata banojnë. Të mos harrojmë se Himara përballet me probleme më të mëdha, ndër të cilat grabitja e tokave dhe kjo ka çuar në një fenomen shumëdimensional të dhunimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat shikohen jo vetëm në BE, nga Parlamenti Evropian, Partitë Popullore, ndoshta dhe nga partitë e majta. Nuk e dimë deri ku do të vendoset kufiri, por mbi të gjitha kemi të bëjmë dhe me Këshillin e Evropës në të cilin z. Aléxis Tsípras, ish-kryeministër i Greqisë, përfaqëson tani Komitetin për Integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Pra, është një presion multidimensional.”/ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco