Konferenca ndërfetare mbi nevojën e dialogut dhe harmonisë

Konferenca ndërfetare mbi nevojën e dialogut dhe harmonisë

20:28, 07/12/2023
A+ Aa A-

Duke vlerësuar traditën e pasur në fushën e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare, përfaqësuesi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Genti Kruja, theksoi gjatë konferencës ndërfetare “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”, zhvilluar sot në Shkodër, nevojën e vazhdimit të kësaj tradite, sidomos nga brezat e rinj.

“Bashkëjetesa ndërfetare në Shqipëri është një realitet që faktikisht vjen nga shekujt, nga historia, nuk është diçka e re. Ne po mundohemi që, nëpërmjet edukimit dhe arsimimit, ta promovojmë këtë tek brezat e rinj duke i njohur me shembujt më të mirë të të parëve tanë në Shqipëri, të cilët na lanë këtë trashëgimi kaq të çmuar për vendin tonë”, tha ai.

Për kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, feja e vërtetë i bashkon njerëzit dhe është e hapur ndaj dialogut, ndërsa ekstremizmi fetar mund të sjellë vetëm ndarje.

“Feja e vërtetë në Zotin vazhdon të jetë e hapur ndaj dialogut. Nëse drejtësia mungon nuk mund të ketë një harmoni të vërtetë, sepse ata që vuajnë padrejtësinë do të jenë gjithmonë të pakënaqur”, tha ai.

Tradita e bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare, theksoi kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është një nevojë e brendshme e shqiptarëve.

“Shqipëria e ka jetike ruajtjen e kësaj trashëgimie të mrekullueshme ndër shekuj. Ndaj dhe flasim e dialogojmë bashkë, sepse ne besojmë se dallimet, diversiteti, na forcojnë më shumë. Dallimet na bëjnë më të qëndrueshëm”, th zoti Spahiu.

Në konferencë folën edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare. Konferenca e sotme, kushtuar nevojës së dialogut dhe harmonisë ndërfetare, u organizua nga Qendra rinore “Arka” në Shkodër./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco