VIDEO/ Studentët e mjekësisë në protestë, Kuçuku: Hapi i radhës do të jetë ballafaqimi me Ramën

15:49, 18/10/2023
A+ Aa A-

Studenti i mjekësisë Arjon Kuçuku ka folur në lidhje me protestën e ditës së sotme dhe bojkotimit të mësimit në kuadër të të kundërshtimit të ligjit që i detyron ata të punojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, Kuçuku është shprehur se studentët kërkojnë dorëheqjen e  zëvëndësministres pas deklaratës së saj e cila u shpreh se çdokush që nuk mund të paguajë vitin akademit të ndërpresë studimet.

Gjithashtu ai thotë se ministrja Manastriliu në takimin e parë të saj me studentët i gënjeu studentët duke u thënë se nuk do të ketë një ligj të tillë.

Ai bën me dije se hapi i radhës do të jetë takimi me kryeministrin Rama.

“Filluam me një protestë të thjeshtë me thirrje, më pas vazhduam me marshim dhe sot gjendemi përballë bojkotit dhe protestave përsëri përballë ministrisë.

Kërkojmë dorëheqjen e zëvëndësministres. Në një emision live ajo ka bërë një deklaratë skandalozë do ta quaja ku tha se studentët të cilët nuk kanë mundësi që ta paguajnë  vitin akademik mund t’i lënë studimet, e thënë kjo nga një ministre e arsimit që supozohet që t’i ftojë studentët që të arsimohen dhe të përfundojnë studimet. Sigurisht që është absurde dhe ne për shkak të papërgjegjshmërisë së saj, qoftë kjo koshiente ose jokoshiente, sigurisht që do të kërkojmë dorëheqjen e saj.

Ka qënë ministrja Manastirliu në cilësinë e ministres së shëndetësisë e cila ka qënë në takimin e parë me studentët, e cila ka thënë që ‘ne do ju mbështesim, ligji nuk është ai që ju mendoni’ që në fakt doli të ishte ai, dhe një sërë fajlësh të tjera që duket se ministrja Manastirliu duket se ka gënjyer. Pikërisht për këtë ne kërkojmë të ballafaqohemi si fillim me të për fjalët të cilat ajo i ka thënë dhe hapi i radhës sigurisht që do të jetë kërkesa për një takim me kryeministrin i cili është shprehur që herët që studentët e mjekësisë duhet të kthejnë borxhin, që për mua është borxh inekzistent. Janë dhe prindërit tanë që paguajnë taksa, sigurisht që ne paguajmë dhe tarifë shkollore e të gjitha kostot e studimit tonë, kështu që nuk mund të thuhet që ne shkollohemi me taksat e shqiptarëve. Sigurisht që edhe ata kontribuojnë por të gjithë ne paguajmë taksa.

Ka pasur zero reagim nga të gjitha instancat, qoftë nga rektorati, qoftë nga ministria e shëntetësisë, një moskokëçarje totale, qoftë edhe nga kryeministri. Ne jemi në pritje. Është e habitshme që të kemi  shpërfillje të tillë ndaj studentëve të mjekësisë, por të shohim sesi do të reagojnë në ditët në vijim.

Sigurisht që ne do të përgjigjemi në mënyrë adekuate nëse ata nuk do të përgjigjen, ne do të përshkllëzojmë protestat tona. Mbetemi në pritje deri në përfundim të kësaj jave.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco