Sekretari britanik, vizitë në WBU. Cleverly vlerëson universitetin dhe ofrimin e bursave për të rinjtë

Sekretari britanik, vizitë në WBU. Cleverly vlerëson universitetin dhe ofrimin e bursave për të rinjtë

15:22, 17/10/2023
A+ Aa A-

‘Çdo komb duhet të mbështesë të rinjtë e talentuar. Investoni në edukimin e të rinjve!’. Ky ishte mesazhi i Sekretarit britanik për Çështjet e Jashtme, James Cleverly, gjatë vizitës në Universitetin Western Balkans, në Tiranë. 

Përfaqësuesi i lartë i Britanisë sw Madhe vlerësoi bashkëpunimin e këtij institucioni me universitetet më me emër në Angli, si dhe përshëndeti hapjen e Dhomës së Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë. Sekretari britanik vlerësoi vendimet e para të kësaj dhome për ofrimin e bursave për studentët nga zonat e veriut të vendit: ‘Çdo komb mbështetet te të rinjtë e tij të talentuar. Kjo është arsyeja pse unë ju them juve, drejtues biznesi dhe studentë, investoni në këtë vend fenomenal! Studioni këtu! Është e mrekullueshme që vendimet e para të Dhomës së Tregtisë të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri kanë qenë ofrimi i bursave në Universitetin Western Balkans për studentët nga zonat e veriut. Faleminderit që investoni për të rinjtë e Shqipërisë. Ata janë e ardhmja, ia vlen çdo qindarkë e investuar. Nëpërmjet Dhomës sonë të Tregtisë, e cila tashmë është regjistruar zyrtarisht dhe funksionon, shpresoj se ju dhe të tjerë si ju do të jeni ambasadorë biznesi për Britaninë në Shqipëri dhe për Shqipërinë në Britani. Në energji, teknologji, arsim dhe të gjitha fushat e tjera, të gjithë keni diçka për t’u ofruar të dy vendeve tona’.

Presidenti i Western Balkans, Ferdinand Gjana, u shpreh se universiteti po aplikon praktikat më të mira britanike në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri: ‘Është një kënaqësi e madhe t’ju mirëpres sot në Universitetin Western Balkans, për lançimin e Dhomës së Tregtisë të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. Nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të ngushtë me Universitetin e Kembrixhit dhe disa universitete britanike, Universiteti Western Balkans synon të sjellë praktikat më të mira britanike në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor’.

Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Klodian Allajbeu, theksoi rolin që do të luajë për forcimin e  marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, si dhe mbështetjen e veçantë për edukimin e të rinjve: ‘Kjo dhomë do t’i kushtojë vëmendje të veçantë sektorit të arsimit duke ofruar bursa studimi për të rinj dhe të talentuar shqiptarë për të studiuar në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ne besojmë se arsimi është gur themeli i një ekonomie moderne dhe shenjë dalluese e një shoqërie të begatë.’

Gjatë qëndrimit disa orësh në Tiranë, Sekretari i Jashtëm britanik është takuar me studentë të Univeristetit Western Balkans, të cilët ndjekin degët e Mjekësisë, Teknologjisë dhe Ekonomisë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco