'Femrat mezi rezistojnë edhe kur...'/KMD merr vendimin për Spartak Ngjela: Diskriminoi gratë...

'Femrat mezi rezistojnë edhe kur...'/KMD merr vendimin për Spartak Ngjela: Diskriminoi gratë...

15:20, 14/10/2023
A+ Aa A-

Deklaratat e avokatit Spartak Ngjela, gjatë emisionit "Më lër të flasë" në Top Channel, janë cilësuar si gjuhë urrejtje nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. 

Ngjela, i cili ftohet në panele televizive për të folur për tema të ndryshme, kishte bërë një deklaratë të rëndë dhe mizogjene, ku ndër të tjera theksonte se "femrat mezi rezistojë edhe kur përdhunohen",deklaratë e cila u përhap me shpejtësi në shumë media të tjera të shkruara. 

KMD i ka cilësuar si gjuhë urrejtje deklaratat e avokatit, duke i kërkuar atij të bëjë një deklaratë publike, ku të distancohet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe të evitojë në të ardhmen përdorimin e saj. 

KMD e cilëson “qëndrim jo profesional, jo informues, paragjykues, dhe nga ana tjetër krijon negativitet kundrejt grave e vajzave në përgjithësi, e në veçanti kundrejt asaj kategorie që mund të jenë viktima të përdhunimit, duke i shqetësuar ato dhe duke krijuar premisa për sjellje diskriminuese kundrejt tyre.”

Televizioni Top Channel mori masa për heqjen e videos me deklaratat e Ngjelës nga rrjetet sociale. 

Reagimi i organizatës "Drejtësi Sociale":

KMD CILËSON SI PËRDORIM TË GJUHËS SË URREJTJES DEKLARATËN NË EMISIONIN “MË LËR TË FLAS” NGA AV. SPARTAK NGJELA

Me vendim nr. 199 të datës 11.10.2023, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka vendosur se gjuha e përdorur nga av. Spartak Ngjela në emisionin “Më lër të flas” përbën diskriminim në formën e “gjuhës së urrejtjes”. KMD e cilëson “qëndrim jo profesional, jo informues, paragjykues, dhe nga ana tjetër krijon negativitet kundrejt grave e vajzave në përgjithësi, e në veçanti kundrejt asaj kategorie që mund të jenë viktima të përdhunimit, duke i shqetësuar ato dhe duke krijuar premisa për sjellje diskriminuese kundrejt tyre.”
KMD ka vendosur më tej se, përdorimi i kësaj gjuhe nga një person publik, i njohur në fushën e politikës, me profesion avokat, autor librash dhe i dënuar politik për shkak të ushtrimit të të drejtës së fjalës së lirë, në një televizion kombëtar me shikueshmëri të lartë, krijon mundësinë e keqinformimit, stereotipizimit, paragjykimit të gruas në përgjithësi dhe tek disa ndjenja urrejtjeje ndaj viktimave të dhunës seksuale.

KMD vlerëson se masat e marra nga TCh kanë përmbushur kërkesat e palës paditëse (heqjen e videos nga youtube si dhe përpilimi i një deklarate tip për të ftuarit për gjuhën e urrejtjes) si dhe rekomandon të bëjë kujdes të shtuar në lidhje me kontrollin dhe mosshpërndarjen e materialeve që mund të përbëjnë gjuhë urrejtjeje.

Vendimi i KMD bazohet mbi kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligjin “Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi”, dhe një varg konventash ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), bazuar mbi raportin e GREVIO për Shqipërinë, statistikave të dhunës ndaj grave dhe vajzave nga INSTAT, progresraporti i KE për Shqipërinë të vitit 2021, etj.
Ky vendim qëndron si një gur i rëndësishëm për luftimin e gjuhës seksiste në media audiovizive si dhe rithekson rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit midis OJQ-ve, KMD-së, medias dhe gjykatave për të zbatuar ligjet dhe konventat e ratifikuara. KMD ka vlerësuar kontekstin historik dhe situatës aktuale të seksizmit në Shqipëri dhe vendimi reflekton një perceptim të mprehtë të realitetit ku kjo ngjarje ka ndodhur.

KMD thekson se gjuha e përdorur në mediat shqiptare aktualisht nuk ka standardet e duhura dhe vazhdimisht ka kontribuar në fajësimin e viktimave të dhunës.

Drejtësi Sociale fton të gjithë partnerët tanë në një analizë më të kujdesshme të këtyre rasteve dhe përkrah çdo iniciativë të ngjashme për të eleminuar së bashku gjuhën seksiste, diskriminimin gjinor dhe racizmin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco