Kërcënimi i Inteligjencës Artificiale, cilat profesione rrezikohen në Shqipëri

Kërcënimi i Inteligjencës Artificiale, cilat profesione rrezikohen në Shqipëri

08:57, 12/08/2023
A+ Aa A-

Rritja e produktivitetit deri në 50% nga përdorimi i ChatGPT dhe formave të tjera të Inteligjencës Artificiale po zhvlerëson pritshmëritë pesimiste të disa bizneseve shqiptare për mosgjetjen e punonjësve, në një kohë kur mungesa e tyre është problematikë tejet e mprehtë.

Ndër sektorët e parë në Shqipëri ku përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe automatizimi pritet të zëvendësojnë gradualisht njeriun dhe të shkurtojnë vendet e punës janë shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe marketingut.

Përdorimi i ChatGPT po shtrihet masivisht edhe te studentët. Pedagogët ngrenë shqetësimin e rrezikut të humbjes së aftësive krijuese te brezi i ri, shkruan Dorina Azo në Monitor.

Tashmë kutia e Pandorës është hapur dhe të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe përgatitemi për t’u mësuar me një realitetit të ri, që po rrit produktivitetin në punën tonë – pohon Merjan Shushollari, përdorues i ChatGPT dhe teknologjive të tjera të Inteligjencës Artificiale (IA), gjatë punës së tij si inxhinier të dhënash në kompaninë “Lufthansa Industry Solutions”.

ChatGPT, si një motor kërkimi, i cili është shumë i avancuar sipas inxhinierit Merjan Shushollari ka rritur produktivitetin në veprimtarinë e tij për zhvillimin e programeve software.

“Një ndikim që kam hasur te puna ime dhe e kolegëve të mi është rritja e produktivitetit. Kërkimi që më duhej të bëja nëpër motorë kërkimi është përshpejtuar ndjeshëm me ChatGPT.

Situata optimiste është rritja e produktivitetit të zhvilluesve. ChatGPT, për sa e kam përdorur, e ka kuptuar thuajse gjithmonë kontekstin e pyetjeve të mia. Mban mend dhe pyetjet e mëparshme që i është bërë dhe bazohet mbi to për të nxjerrë kontekstin e pyetjes në vijim.

Për sa i përket rrezikut në përdorim, duhet pasur gjithmonë kujdes të mos zbulosh të dhëna sensitive kur bën pyetje, pasi ruhen në servera të cilat nuk menaxhohen nga përdoruesi.

Ky përbën një rrezik për të dhënat të një kompanie. Si një industri e re që po zhvillohet, ka sjellë me të dhe nevojën për role të reja. Një rol i ri i cili po shikon një rritje në kërkesë është Prompt Engineer/AI Whisperer”.

Pavarësisht kushtëzimeve kur punohet për të dhëna sensitive dhe rezultatet ndonjëherë të pasakta ose të cunguara, ChatGPT ka treguar që është një mjet i domosdoshëm në punën e tij.

Përveç ChatGPT, Merjani thotë se ka filluar të përdorë edhe forma të tjera të Inteligjencës Artificiale, siç është GitHub Copilot. Ndërsa një realiteti i ri i Inteligjencës Artificiale në disa industri janë makinat vetëdrejtuese të cilat përdorin “computer vision” për të dalluar objekte. “Ky është një shembull i mirë që tashmë IA merr vetë edhe vendime”, thekson Shushollari.

Për këtë arsye, ai thekson se tashmë ka ardhur koha që edhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet dhe të përgatitet për të investuar në Inteligjencën Artificiale, pasi gradualisht pritet të ketë ndikim në tregun e punës me zëvendësimin e punonjësve.

“Madje kjo duhet të nisë që në shkollë fillore dhe më tej deri në studimet universitare. Nuk mund të kthehemi në luditë (shkatërrues së makinerive) të kohës moderne. Duhet të shohim përpara dhe me optimizëm për mundësitë dhe industritë e reja që do të sjellë IA”, pohon inxhinieri i IT-së.

Nga ana tjetër, skenar pesimist është automatizimi i industrive. Shumë pozicione në sektorin bankar dhe ligjor në SHBA kanë filluar të automatizohen. “Në rast se një vend, nuk është i përgatitur për këtë shkallë automatizimi, do të sjellë probleme të mëdha sociale”, përfundon inxhinieri i IT-së.

Në Shqipëri, sipërmarrjet e rreshtuara të parat në përdorimin e makinës inteligjente, madje duke përditësuar versione të reja janë kompanitë e shërbimit të teknologjisë së informacionit.

Administratori i kompanisë së teknologjisë së informacionit, “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia, parashikon ndryshime drastike në tregun e punës nga përdorimi i makinës inteligjente në një kohë kur përdorimi i saj ka rritur me 50% produktivitetin.

“Duke qenë se në fusha të caktuara, përdorimi i IA ka krijuar përmirësim në produktivitet prej më shumë se 50%, patjetër që do të ketë ndryshime deri diku drastike dhe të shpejta në tregun e punës.

Nëse në të shkuarën, avancimet teknologjike kanë pasur një shtrirje kohore pak më të gjatë, duke lejuar një adoptim më normal, tani gjendemi në një situatë ku ndryshimet dhe progresi ka një ritëm gati eksponencial në disa pjesë, gjë që krijon një problematikë në kohën që duhet për riaftësimin e shpejtë të njerëzve për tregun e punës”.

“Ritech Solutions”, sipas z. Risilia, ka sjellë risi në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, produkte të cilat tashmë janë adoptuar në punën e përditshme të kompanisë. Z. Risilia tha se përdorimi i IA gjeneruese (Generative AI) po arrin një adoptim gati të përditshëm në punën aktuale të të gjithë zhvilluesve të softit në këtë kompani.

“Aktualisht, kompania ‘Ritech Solutions’ zotëron një produkt i cili është i orientuar në vizionin kompjuterik dhe Inteligjencën

Artificiale, me qëllim zgjidhjen e problemeve logjistike të një prej kompanive më të mëdha të anijeve në botë. Përveç këtij produkti jemi në zhvillim të një produkti të ri në pjesën e Borxhit Teknik (tech debt) që është një nga problemet më madhore në fushën software. Produkti bën një përdorim mjaft të gjerë të teknologjive të reja në IA gjeneruese ku bën pjesë dhe GPT-4 (mekanizmi nën ChatGPT).

Në fushën e programimit, ndikimi i IA gjeneruese do të jetë i konsiderueshëm. Stafi ynë ka qenë në një adoptim të vazhdueshëm të këtyre teknologjive në punën e përditshme”.

Sipas z. Risilia, efekti i përdorimit të ChatGPT në sektorin e teknologjisë së informacionit është shumë i gjerë, pasi IA gjeneruese po prek dhe vetë punën që bëjnë programuesit IT.

Drejtuesi i kompanisë “Ritech Solutions” nuk e përjashton mundësinë e skenarëve pesimistë sesi kjo teknologji mund të shkojë në drejtimin e gabuar.

Por ai thekson se është optimist fakti që vetëdija kolektive në persona që janë në rreshtin e parë të këtyre zhvillimeve është e madhe dhe po bëhet një shtyrje e madhe drejt te pasurit kujdes që kjo teknologji të qëndrojë brenda barrierave etike dhe të mos kthehet në një rrezik për njerëzimin.

Po a është IA e përsosur dhe a mund të kuptojë situata komplekse që mund të japin vendime të sakta? Administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia, thekson se normalisht Inteligjenca Artificiale është larg përsosmërisë dhe si çdo teknologji që mund të ketë shumë përfitime ka dhe problemet e saj apo dhe rreziqet.

“Problemet lidhen më shumë me pasaktësinë analitike në raste të përcaktuara, gjë që kërkon një kujdes për t’u menaxhuar sidomos kur përdorimi i IA është në fusha me rrezik të lartë në sektorin e transaksioneve (p.sh. si në banking)”, nënvizon ai.

Të njëjtën pyetje ne i drejtuam edhe vetë ChatGPT-së, i cili u përgjigj: “IA nuk është perfekt dhe nuk mund të kuptojë situata komplekse në mënyrë që të japin vendime të sakta në çdo rast. IA mund të jetë shumë i dobishëm në disa raste, si p.sh. në analizën e të dhënave, në klasifikimin e informacionit dhe në automatizimin e disa proceseve.

Megjithatë, IA nuk mund të zëvendësojë plotësisht njeriun në situata komplekse, sepse njeriu ka aftësinë për të kuptuar kontekstin dhe për të marrë vendime të bazuara në përvojën dhe në njohuritë e tij.

Në fund të fundit, IA nuk mund të ketë aftësinë për të kuptuar emocionet dhe ndjenjat e njeriut dhe për të marrë vendime të bazuara në këtë njohuri”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco