Mbetjet në liqenin e Komanit dëmtojnë turizmin në Alpe

Mbetjet në liqenin e Komanit dëmtojnë turizmin në Alpe

12:49, 29/07/2023
A+ Aa A-

Dhjetra fshatra përreth liqenit të Komanit i derdhin mbetjet në natyrë në mungesë të shërbimeve, ndërsa bashkitë shpallin pamundësinë për pastrimin e liqenit dhe kërkojnë ndihmën e ushtrisë.

BIRN

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është një nga destinacionet më tërheqëse të Alpeve shqiptare gjatë viteve të fundit. Por imazhi i virgjër i zonës në skajin verior të Shqipërisë cënohet nga tonelatat e mbetjeve që notojnë në liqenin e Komanit.

Në bujtinën “Blini i Gurit t'Lekës” – që e ka marrë emrin nga një gojëdhënë për Lekë Dukagjinin, pronari Paulin Qeta thotë se hedhja e mbeturinave në liqenin e Komanit po e dëmton së tepërmi zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

“Unë vetë personalisht në fillim të sezonit bëj dy-tre pastrime të liqenit të Komanit me varka që kanë fshatarët, duke i paguar ata, por prapë nuk e pastroj aq sa duhet,” tha ai për BIRN.

Liqeni i Komanit është një rezervuar mbi lumin Drin, i rrethuar nga kodra të pyllëzuara, shpate vertikale dhe gryka të thella. Rreth 90% e mbetjeve në liqen vijnë nga Fierza si dhe fshatrat e zonës së Fushë- Arrëzit dhe Tropojës.

Qeta fajëson për ndotjen si njësitë e pushtetit vendor, ashtu edhe banorët.

“Pushteti vendor nuk i mbledh mbeturinat, ndaj ata i hedhin këtu,” thotë ai.

Edhe Entela Kola, përgjegjëse e turizmit në bashkinë e Vaut të Dejës thotë se 12 fshatrat e njësisë administrative Temal ndikojnë në ndotjen e liqenit të Komanit. Shumë prej këtyre fshatrave janë braktisur nga banorët e tyre, por një pjesë kthehen gjatë sezonit të verës.

“Ne jemi si të thuash pika e fundit ku grumbullohen këto plehra të nisura nga vende të ndryshme. Kjo e penalizon liqenin e Komanit,” tha Kola.

Njëherazi aktiviste në mbrojtjen e mjedisit, Entela Kola thotë se ka ndërmarrë aksione vullnetare pastrimi në liqen, por kjo është sipas saj e pamjaftueshme.

“Bashkia e Vaut të Dejës në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me disa të rinj, ku u bëmë 20 lundra bashkë,  kemi mbedhë gati 200 thasë me mbetje, por edhe kjo sasi është minore në krahasim me plehrat që vijnë në liqenin e Komanit,” shtoi ajo.

Kryetari i bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri i tha BIRN se janë 36 fshatra në territorin e bashkisë së tij që ndikojnë në ndotjen e liqenit, por ai shtoi se bashkia nuk i ka mundësitë financiare që të ofrojë shërbimin e pastrimit në secilin prej tyre.

“Ne si bashki e kemi të pamundur financiarisht të ofrojmë shërbimin e pastrimit për fshtatrat e kësaj bashkie ku përfshihen edhe 36 fshatrat që në mënyrë të drejpërdrejtë apo të terthortë ndotin liqenet e Komanit dhe të Fierzës,” tha Curri.

Bashkia e Fushë-Arrëzit ka shërbim pastrimi vetëm për qytetin e Fushë-Arrëzit dhe fshatin Kryezi, i përzgjedhur në projektin “100 fshatrat”. Sipas Currit, pjesa tjetër i hedh mbetjet në përrenj dhe lumenj, të cilët derdhen më pas në liqenin e Komanit.

Eksperti i qeverisjes vendore, Fatlum Nurja, i cili ka punuar dikur edhe si drejtor i HEC-it të Vaut të Dejës fajëson mungesën e shërbimeve të pastrimit nga ana e bashkive, po aq sa edhe banorët për situatën e krijuar. Nurja thekson gjithashtu se një tjetër faktor i ndotjes së liqenit vjen nga kalbja e drurëve – të cilët nuk pastrohen siç duhet nga shërbimi i Pyjores.

“Mbetjet plastike dhe kanaçet që hidhen nga dora e njeriut kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e njerëzve, por edhe me mungesën e shërbimeve nëpër njësitë administrative dhe fshatrave në zonën e liqenit,“ tha Nurja.

“Janë edhe ndotje tjera, që vijnë nga kalbja e drurëve në kurorën e liqenit,” shtoi ai, ndërsa theksoi se drurët e kalbur mund të dëmtojnë edhe agregatet e hidrocentraleve.

Fenomeni i kalbjes së drurëve e ka zanafillën para vitit 1985, kohë kur nisi puna për ndërtimin e turbinës së parë të liqenit të Komanit. Ndryshe nga liqeni i Fierzës, në Koman nuk u pastrua kurora e liqenit.

Korrikun e kaluar, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ajo e Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaruan nga Komani se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH do të realizonte mbledhjen dhe ndarjen e mbetjeve në liqen përmes një anijeje në dispozicion.

Por Paulin Qeta thotë se anija qëndron e ankoruar në breg dhe nuk u vu asnjëherë në funksion.

“Nuk ka hy asnjëherë me pastru liqenin. E kemi ngritë problemin disa herë si në ministrinë e Mjedisit e Turizmit, në media etj,” tha ai.

Si pjesë e grupit të punës për menaxhimin e sezonit turistik në qarkun e Shkodrës, Entela Kola i tha BIRN se kishte kërkuar me forcë “futjen e forcave të ushtrisë për pastrimin e liqenit të Komanit”.

Megjithatë, zgjidhjen afatgjatë ajo e sheh te ndërgjegjësimi i komunitetit.

“Nuk bëhet kjo ‘hajde marrim thasët e zinj dhe të pastrojmë liqenin. Kërkohet edhe ndërgjegjësim dhe kulturë në këtë drejtim,” përfundoi Kola.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco