VIDEO-SYRI TV/ MAS ul numrin e nxënësve në klasa, Mehmeti: Shpopullimi, arsyeja reale e udhëzimit

VIDEO-SYRI TV/ MAS ul numrin e nxënësve në klasa, Mehmeti: Shpopullimi, arsyeja reale e udhëzimit

18:17, 21/07/2023
A+ Aa A-

Ministria e Arsimit ka publikuar një udhëzim të ri, sipas të cilit numri mesatar i nxënësve në klasa ulet nga 35 në 30, në funksion të zhvillimit më të mirë të procesit mësimor. Por sipas ekspertëve, arsyeja kryesore e marrjes së këtij vendimi është emigrimi masiv dhe rënia e numrit të nxënësve në shkolla. Edhe shifrat zyrtare tregojnë se në arsimin parauniversitar regjistrimet kanë pësuar ulje të ndjeshme në vitin shkollor 2022-2023, krahasuar me një vit më parë.

Nga SYRI TV

Shpopullimi është e vërteta reale që ka detyruar Ministrinë e Arsimit të nxjerrë një udhëzim për uljen e numrit të nxënësve në klasa, sipas ekspertit të Arsimit Ndriçim Mehmeti. Në optikën e tij kjo po bëhet për të mbuluar mangësitë në sistemin arsimor, ndërkohë që rënia e numrit të nxënësve nga viti në vit, është një faktor tregues që po emigron e gjithë familja. Ndërkohë ky udhëzim sipas tij, ka filluar të shtrijë efektet negative edhe tek mësuesit.

Sociologia Entela Binjaku, thotë se prindërit kërkojnë më shumë cilësi në mësimdhënie për fëmijët e tyre, ndaj shohin emigrimin si zgjidhje, ndërsa rendit edhe faktorë të tjerë.

Edhe shifrat zyrtare tregojnë rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, çka është një tjetër tregues që udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ka ardhur për këtë arsye.

Në shkollat 9-vjeçare, regjistrimet këtë vit kanë pësuar rënie me 4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa regjistrimet në klasat e dhjeta kanë rënë me 9%. Në arsimin e mesëm regjistrimet e nxënësve në total kanë rënë me 7,4 % këtë vit.

Shqetësuese situata paraqitet edhe me maturantët, të cilët nga 30 mijë që janë në të gjithë vendin, rreth 11 mijë prej tyre kanë aplikuar për studime jashtë vendit, duke plotësuar formularin A1 e duke zgjedhur ‘po’ në opsionin ‘Aplikon për jashtë’.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. 

 

SHKOLLAT 9- VJEÇARE, REGJISTRIME KLASA E PARË

VITI 2021-2022             30 mijë nxënës                                     

VITI 2022-2023             29 mijë nxënës                      

1000 më pak se një vit më parë, rënie 4%

 

REGJISTRIME KLASA E DHJETË (Pa përfshirë shkollat e arsimit profesional)

VITI 2021-2022               31 mijë nxënës

VITI 2022-2023               28 mijë nxënës

3000 më pak se një vit më parë, rënie me 9%

 

Gjithsej nxënës në sistemin parauniversitar INSTAT

453,989 nxënës të regjistruar në arsimin parauniversitar gjatë vitit shkollor 2021-2022

432.870 nxënës të regjistruar në arsimin parauniversitar gjatë vitit shkollor 2022-2023

Rënie me 4,7 %

 

ARSIMI I MESËM

REGJISTRIME TOTAL NË ARSIMIN E MESËM

VITI SHKOLLOR 2021-2022                      103.467 nxënës

VITI SHKOLLOR 2022-2023                        95.845 nxënës

Ulje prej 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

 

MATURANTËT QË DUAN TË IKIN JASHTË

MATURA SHETËRORE 2023     10.873 MATURANTË

MATURA SHETËRORE 2022    12.166 MATURANTË

MATURA SHETËRORE 2021    10.906  MATURANTË

 

REGJISTRIME NXËNËS DHE STUDENTË     INSTAT

554.222 nxënës dhe studentë u regjistruan në arsimin zyrtar në vitin shkollor 2022-2023.

Ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-2022.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco