SYRI TV/ Emigrimi i të rinjve ul në mënyrë drastike numrin e studentëve

10:36, 07/07/2023
A+ Aa A-

Universitetet publike në vend kanë shënuar rënien më të madhe të studentëve në 5 vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin akademik 2022-2023 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë rreth 91 mijë studentë, ku në krahasim me vitin 2018, numri i të regjistruarve ka rënë me 19.7%. Kjo tendencë është ndikuar nga largimi masiv i të rinjve dhe plakja e popullsisë

SYRI TV

Plakja graduale e popullsisë që ka ulur grupmoshën e re, së bashku me emigrimin masiv të të rinjve, kanë ndikuar në uljen e numrit të studentëve. Çdo vit, në auditorët e universiteteve publike po ulen gjithnjë e më pak studentë.

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin akademik 2022-2023 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë rreth 91 mijë studentë, ose 75% e totalit të studentëve gjithsej, që arrijnë në rreth 121 mijë, përfshirë sistemin privat.

Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin publik ka rënë me 19.7%. Universitetet e rretheve kanë parë rënien më të madhe të studentëve.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka humbur më shumë sesa gjysmën e studentëve, në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kishte 37% më pak studentë në 2022-n, në raport me pesë vjet më parë, në “Fan Noli” në Korçë dhe “Ismail Qemali” në Vlorë, nga rreth 30% më pak.

Vetëm universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka pasur të njëjtin numër të regjistruarish në krahasim me pesë vite më parë.

Universiteti i Tiranës (Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë) më i madhi në vend, më 22 mijë studentë, ose 24% të totalit të studentëve të regjistruar, ka shënuar gjithashtu një tkurrje të lartë me 25% të numrit të nxënësve në 5 vitet e fundit.

Nuk ka pasur shumë interes as për Fakultetin e Mjekësisë, ku në vitin akademik 2022/2023 ishin të regjistruar 5,842, ose 18% më pak sesa në 2018-n.

Nga universitetet e mëdha, i vetmi me rritje, ndonëse të lehtë, është ai Politeknik, me zgjerim prej 1.4%. Sipas Monitor, universiteti që ka ngjallur më shumë interes ka qenë ai i Sporteve. Rreth 30 mijë studentë të tjerë, ose 25% e totalit janë të regjistruar në universitetet private. Në raport me 2018-n, në privat janë shtuar gati 5 mijë studentë, ose 18% më shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco