5 vite me detyrim në Shqipëri, studentët e mjekësisë kundër, zbulohen detajet e protestës së tyre të tretë

5 vite me detyrim në Shqipëri, studentët e mjekësisë kundër, zbulohen detajet e protestës së tyre të tretë

09:07, 06/07/2023
A+ Aa A-

Teksa qeveria miratoi vendimin për të mbajtur me detyrim për 5 vite studentët e mjekësisë në atdhe pas përfundimit të studimeve, këta të fundit, kanë paralajmëruar një tjetër protestë, që do të jetë e treta për nga radha.

Pas një konsultimi mes tyre, në një mbledhje të mbajtur në orëm 17;00 të së mërkurës, ata kanë vendosur dhe planin se si do të mbahet kjo protestë. Me shënimin e orës 10:00 studentët do të nisin të grumbullohen në oborrin e fakultetit, pranë rektoratit.

Pas një fjale të mbajtur për mediat, ata pritet të marshojnë në grup, drejt Parlamentit në Shqipërisë, në një kohë kur ligjvënësit pritet të diskutojnë për çështjet e ditës. Studentët do të bëjnë thirrje dhe do të kundërshtojnë draft-propozimin, që shpejt pritet të kthehet në një vendim të miratuar, siç konfirmoi një ditë më parë kryeministri Edi Rama.

Studentët theksojnë se nuk duan të largohen nga Shqipëria, por e cilësojnë si një masë represive dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut mbajtjen me detyrim në atdhe.

Ata kërkojnë nga ministritë përkatëse përmirësimin e kushteve, të auditorëve, ambienteve të praktikave dhe spitaleve rajonale, që sipas tyre, nuk përmbajnë elementet për ushtrimin normal të profesionit.

Nga ana tjetër qeveria, ndryshoi propozimin e artikuluar më herët. Për studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri.

Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite. Këto masa shikohen nga qeveria dhe dikasteret përkatëse, si të duhura për të frenuar emigracionin e bluzave të bardha. Duke nisur nga ky vit i ri akademik, janë rritur edhe kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë.

Pritet të jetë 500 maturantë që do të pranohen në këtë degë studimi, por me kushtin që krahas provimeve të përfunduara të maturës, të kalojnë me sukses një tjetër provim në formatin elektronik për vlerësimin e njohurive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco