VIDEO/ Mesazhi i kreut të KMSH për Bajram: Secili duhet të kontribuojë për të ndalur shpopullimin e vendit

11:21, 21/04/2023
A+ Aa A-

Të gjithë myslimanët në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin.

Mijëra besimtarë shqiptarë kryen faljen e namazit në orën 06:40 në të gjitha qytetet, nëpër xhami dhe sheshe kryesore. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Largimi i të rinjve nga vendi dhe për pasojë plakja e popullsisë ishin pjesë kyçe e mesazhit që dha sot kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu në ceremoninë e mbajtur me rastin e Fitër Bajramit.

Spahiu iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve e veçanërisht të rinjve, që të mendojnë për ta ndërtuar jetën në vendin e tyre.

“Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta.

Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë.

Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë!

Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer.

Vendin tonë e ka bekuar Zoti me gjithë të mirat, ta shohim si amanet që duhet ta mbajmë siç i takon amanetit të ruhet.

Unë besoj se me ndihmën e Zotit ne do t’ia dalim ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, për veten tonë dhe për fëmijët tanë.

E për ta bërë vendin më të mirë, kontributi parësor është vendosja e një raporti të drejtë me të vërtetën dhe të drejtën nga secili prej nesh,” tha Spahiu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco